Belind Këlliçi, kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranë ka dëshmuar sot se rezultati i zgjedhjeve në Tiranë nuk pasqyron realitetin, sepse ai rezulton fitues në qytet dhe jofitues, për çudi, në fshatrat e kryeqytetit.
Pikërisht në këtë pikë Këlliçi shprehu bindjen e fortë se hendeku i tij me Veliajn u thellua sa më shumë shkohej “drejt periferisë së varfër, aty ku votat blihen, ky qytetarët shantazhohen, ku ka pasur votime familjare.”
I pyetur nga gazetarja në Syri TV, nëse realisht besonte tek fitorja, Këlliçi dha një “po” të qartë dhe e argumentoi:
“Unë realisht besoj sot që ne flasim se ky rezultat që ka dalë në këto zgjedhje në Tiranë nuk pasqyron realitetin e qytetit të Tiranës. nuk pasqyron të vërtetën në Tiranë. Problemi ka qenë këtu dhe duhet t’i themi disa të vërteta.
Patjetër që procesi është i deformuar, është i manipuluar, qytetarët kanë qenë të intimiduar, është bërë terror ndaj administratës publike, është bërë terror ndaj punonjësve të bashkisë së Tiranës, të njëjtit që më shkruanin dhe më çonin të dhëna gjatë gjithë kohës, por po nis edhe një procesi i një analize të thellë nga anajonë.
Të intimiduar apo jo, të shantazhuar apo jo, të blerë apo jo votat, të marrë kartat (se ka dy kategori njerëzish që nuk kanë dalë – ka një pjesë që kanë qenë të zhgënjyer ose kanë menduar se nuk ia vlen të dalin sepse nuk e kthejnë dot rezultatin, po ka dhe një pjesë tjetër që i është blerë karta: i është marrë karta ditën e premte, i janë dhënë paratë dhe karta i është kthyer ditën e hënë vetëm për t’i blerë bojkotin.
Ka një sërë kategorish qytetarëve që nuk kanë dalë të votojnë, por nëse ne do kishim pasur një pjesëmarrje të lartë në votim, 50%, 55 apo 60-% do të kishte mjaftuar për ta përmbysur.
58 mijë vota diferencë, po, sepse në Tiranë ….Ja të jap një të dhënë konkrete. Në Tiranë unë kam fituar 96 kuti nga 941. Nga këto 96, 86 kuti janë fituar brenda vijës së verdhë, brenda qytetit. Në qytet, kam fituar 6 kuti në zonën e Bllokut, në njësinë nr.5, në rrugën e Elbasanit, në Pazarin e Ri, në gjysmën e “Myslym Shyrit”, në “21 Dhjetori”, në rrugicat që lidhin “Myslym Shyrin” me Rrugën e Kavajës, te një pjesë e Rrugës së Kavajës,te njesia 8, 5 Maji, shtëpitë private tek Unaza e Re, ato që pretendonte Veliaj se i kishte fituar, por janë mashtrime. Edhe 5 Maji është mashtrim, është fituar edhe fituar me 70% nga unë.
Problemi është këtu: Në 240 kuti të tjera kemi një diferencë me Veliajn deri te 20 vota që janë të gjitha 100% në qytet të fokusuara dhe sa më shumë afrohesh në periferi, fillon dhe thellohet hendeku, diferenca midis Veliajt dhe meje dhe kur shkon pastaj në zona të thella, në Zall Herr, Kasallë, në Dritas, Krrabë, diferenca është deri në 80% pro Veliajt, kur ndërkohë hajde të ikim bashkë e realizojmë një emision nesër nëse doni, live e të pyesim çdo banor në këto zona kur e keni parë Veliajn ndonjëherë këtu në tetë vite apo kush është investimi i vetëm që ka bërë këtu.
Rezultati nuk pasqyron të vërtetën në terren, është një makineri e frikshme e blerjes së votës, e shantazhit, e dhunës, e presionit. Shkon drejt periferisë së varfër, ku vota blihen, ku shantazhohen qytetarët, ku ka pasur votim familjar.”