Tina Turner, këngëtare e hiteve të muzikës soul dhe pop si “The Best” dhe “What’s Love Got to Do With It” qw e shndërruan atë në një superyll, ka vdekur në moshën 83-vjeçare.
Turner kishte vuajtur një sërë problemesh shëndetësore vitet e fundit, duke përfshirë kancerin, një goditje në tru dhe dështimin e veshkave.
Ajo u bë e famshme së bashku me bashkëshortin Ike në vitet 1960 me këngë si “Proud Mary” dhe “River Deep, Mountain High”.
Ajo u divorcua nga Ike në vitin 1978 dhe vazhdoi të gjente sukses edhe më të madha si artiste solo në vitet 1980.
E quajtur Mbretëresha e Rock ‘n’ Roll-it, Tina Turner ishte e famshme për performancat e saj energjike në skenë dhe vokalin e fuqishëm.
Ajo fitoi tetë çmime Grammy dhe u fut në “Rock ‘n’ Roll Hall of Fame” në 2021 si një artiste solo, pas hyrjes për herë të parë së bashku me Ike në 1991.
Pas induksionit të saj solo, Hall of Fame vuri në dukje se si ajo kishte “zgjeruar idenë dikur të kufizuar se si një grua e zezë mund të pushtonte një skenë dhe të ishte njëkohësisht një fuqi dhe një qenie shumëdimensionale”.
Yjet më të rinj që kanë ndjerë ndikimin e saj përfshijnë Beyonce, Janet Jackson, Janelle Monae dhe Rihanna.
E lindur në Tenesi, SHBA, ajo së pari u shqua si një nga këngëtaret mbështetëse të grupit të bashkëshortit të saj “The Kings of Rhythm”.
Shpejt, doli në krye të grupit dhe çifti shijoi suksesin komercial me “Fool in Love” dhe “It’s Gonna Work Out Fine”, të cilat u renditën në krye të renditjeve muzikore amerikane në fillim të viteve ’60.
Hitet e tyre të tjera përfshinin “Nutbush City Limits” të vitit 1973.
Por abuzimi fizik dhe emocional nga Ike-it ndaj saj po ndikonte.
Ishte ai që ndryshoi emrin e këngëtares nga emri i saj i lindjes, Anna Mae Bullock, në Tina Turner – një vendim që e mori pa dijeninë e saj – një shembull i sjelljes së tij kontrolluese. Ajo kujtoi traumën që pësoi gjatë gjithë marrëdhënies së tyre në kujtimet e saj të vitit 2018, My Love Story, në të cilën ajo e krahasoi seksin me muzikantin e ndjerë me “një lloj përdhunimi”.
“Ai e përdori hundën time si një thes grushtimi aq shumë sa që unë shijoja gjakun që më rridhte në fyt kur këndoja”, ka shkruar ajo.
Pasi u arratis nga dhunuesi i saj, ajo vazhdoi të rindërtojë karrierën dhe u bë një nga yjet më të mëdhenj të pop-it dhe rock-ut të viteve 80 dhe 90, me hite duke përfshirë “Let’s Stay Together”, “Steamy Windows”, “Private Dancer”, “James Bond theme GoldenEye”, “I Don’t Wanna Fight” and “It Takes Two”, një duet me Rod Stewart.
Ajo luajti gjithashtu në filmin e vitit 1985, “Mad Max Beyond Thunderdome” – i cili shfaqi një tjetër nga sukseset e saj, “We Don’t Need Another Hero” – dhe operën rok “The Who’s 1975 Tommy si Acid Queen”.
Ajo gjeti lumturinë me bashkëshortin e saj të dytë, muzikantin gjerman Erwin Bac. Ata filluan të takoheshin në mesin e viteve ’80 dhe u martuan në vitin 2013.
Dyshja jetonin në Zvicër, me Turner që mori nënshtetësinë zvicerane. Ai i dhuroi asaj një nga veshkat e tij në vitin 2017 pasi u zbulua se ajo vuante nga dështimi i veshkave.
Ajo gjithashtu pësoi tragjedi me humbjen e djalit të saj të madh Craig, i cili u vetëvra 2018. Babai i tij ishte ish-shoku i grupit të Turner, Raymond Hill.
Një djalë tjetër, Ronnie, babai i të cilit ishte Ike Turner, vdiq në vitin 2022. Ajo gjithashtu kishte dy djem të birësuar, Ike Jr dhe Michael, nga lidhja e mëparshme me bashkëshortin e parë Ike.
Historia e jetës së Tinës krijoi një film biografik të vitit 1993 me titull “What’s Love Got To Do With It”, i cili i dha Angela Bassett një nominim për Oscar për rolin e yllit; dhe një hit muzikor në skenë – i titulluar me “Tina: The Musical”. Ajo ishte gjithashtu subjekt i dokumentarit të HBO “Tina” në 2021.
Në një intervistë me Marie Claire në Afrikën e Jugut në vitin 2018, Turner tha: “Njerëzit mendojnë se jeta ime ka qenë e vështirë, por unë mendoj se ka qenë një udhëtim i mrekullueshëm. Sa më shumë të rritesh, aq më shumë e kupton se nuk është ajo që ka ndodhur, është mënyra se si ti e trajton.”
/Përshtatur nga BBC/
Lexo edhe:
Tina Turner, legjenda e popit që kapërceu vështirësitë për t’u kthyer në yll botëror