Analiza e situatës ku ka përfunduar Partia Demokratike pas zgjedhjeve të 14 majit, sipas politologut Ilir Kalemaj tregon se po ndodh ajo që pritej në kohën e disfatës më të rëndë të të gjitha kohëve, madje edhe që nga viti 1997.
Duke folur në MCN, Kalemaj tha se janë fituar zero Këshilla Bashkiakë në shumicë, qoftë nga pjesa e Rithemelimit, edhe nga pjesa tjetër.
Në këtë linjë shtoi se vota politike është për kryebashkiakët në zgjedhjet lokale. Por shifrat tregojnë se janë vetëm 7 kryebashkiakë të fituar nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe zero nga Partia Demokratike zyrtare, ndërsa mungesa e bashkëpunimit mes palëve solli humbjen në bashki si Këlcyra e Kuçova, ku gara ishte e ngushtë me kryebashkiakët e PS.
“Doli Arlind Qorri numri 3 në Tiranë, duke lënë pas PD zyrtare. 114 këshilltarë bashkiakë i mori partia e Tom Doshit. Si logjikë ka uzurpuar vendin që kishte LSI dikur, PS ka marrë 780 mijë vota, ka ruajtur votat e saj në zgjedhjet e përgjithshme dhe i ka shtuar.
Kjo solli përçarje të mëtejshme të grupit të PD zyrtare, dorëheqjen e Alibeaj, pa u konsultuar me askënd siç tha, kjo bëri që të plasë lufta civile te ajo pjesë e vogël me grup parlamentar.
Bejko deklaroi se është bojkotuar nga sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi. Jorida Tabaku deklaroi se të gjithë jemi fajtor. Fakti që nuk u shfaq në fushatë por mbajti pozicion të tërhequr, tregoi se mendoi për karrierën e vetë politike.
Mallakastra, Këlcyra, Kuçova, mund të fitoheshin nga opozita nëse nuk do ishte PD e përçarë. Problemi është në qendër dhe këtu duhet adresuar”, tha Kalemaj.
Kalemaj tha se i duket absurde nga grupi parlamentar i Gazment Bardhit që të mos pranojnë të bashkohen apo të komunikojnë në kushtet kur PD e Vulës u “katandis” si forcë e katërt.
Sipas tij, Bardhi nuk do të kontestohet nga të qenit kreu i grupit, nëse ndodh një bashkim politik.
“Asnjë nga arsyet pse janë ndarë nuk kanë rënë. Fakti që nuk pranojnë Berishën kryetar të PD, nuk pengon Partinë Demokratike të vij në pushtet. Nuk ka rënë asnjë nga arsyet! Kush mund të jetë zgjidhja? Zgjidhja mund të jetë një lidership kolektiv, me pjesën e moderuar.
Ka disa elementë në Partinë Demokratike, të cilët mund të ulen dhe të gjejnë një grup që janë të pranuar, për të ringritur PD, për të organizuar zgjedhjet, në 6 muaj, apo një vit. Të rimbahen primaret. Zoti Berisha mund të rrijë si patriarku i partisë, nuk e shmang dot për arsye historike. Por unë nuk e besoj se zoti Alibeaj ka ikur kastile që të vij zoti Basha”, u shpreh politologu.