Padia e kompanisë gjermane EMO-APO në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, rrezikon t’i kushtojë Shqipërisë 40 milionë euro. Konflikti me shtetin shqiptar, kulmoi kur qeveria zyrtarizoi marrëveshjen për projektin “Durrës Yachts & Marina” me investitorin Mohamed Alabar. Drejtuesi i EMS-Fehn-Group, z. Manfred Mueller, shpjegon në një intervistë për Faktoje se ka paralajmëruar autoritetet për mundësinë e arbitrazhit që në gusht të 2022, por ky fakt nuk i ka shqetësuar mjaftueshëm ato. Verifikimi i Faktoje nxjerr në pah disa të pavërteta të deklaruara më herët nga drejtuesi i Autoritetit Portual Durrës, Piro Vëngu lidhur me fatin e kësaj kontrate koncensionare.
Nga Esmeralda Topi
“Të gjitha kontratat koncensionare do respektohen aty ku është shteti palë, ku është autoriteti portual palë, do respektohen një më një.” – deklaroi fundvitin e kaluar, drejtori i Autoriteti Portual Piro Vëngu, gjatë një emisioni televiziv, teksa u pyet mbi fatin e kompanive koncensionare që operojnë në Portin e Durrësit, pas marrëveshjes për projektin “Durrës Yachts & Marina” që qeveria shqiptare zyrtarizoi me investitorin Mohamed Alabar.
“Tërësia e operatorëve kanë pranuar dhe mezi presin që aktiviteti tregtar të zhvendoset në Porto Romano. Dhe kompania gjermane ka shprehur dakordësinë për të zhvendosur aktivitetin e vet.”, shprehej më tëj z.Vëngu.
Por ndryshe nga sa deklaron ai, projekti për shndërrimin e portit të Durrësit në një port turistik duke zhvendosur portin e mallrave në Porto Romano, po i shqetësonte operatorët për vijimin e aktivitetit të tyre ekonomik.
Një prej tyre ishte pikërisht kompania gjermane EMS – APO, e cila prej thuajse një dekade përpunon anijet e mallrave rifuxho në terminalin lindor të portit të Durrësit. Në vitin 2013, EMS ka nënshkruar një kontratë koncensionare 35 – vjeçare për menaxhimin, operimin dhe mirëmbajtjen e terminalit lindor në Portin e Durrësit.
“Shpresojmë që Kuvendi i nderuar të dëgjojë shqetësimet tona dhe të vlerësojë pasojat e tyre. Sa më sipër, nuk paragjykon apo ndikon, nuk përbën e as nuk mund të lexohet ose të interpretohet si heqje dorë nga çdo padi, kërkim, e drejtë, mjet juridik, titull dhe/ose interes i çfarëdo natyre qoftë, të cilat EMS dhe/ose EMS APO, bashkarisht apo veçmas, gëzojnë, mund të ushtrojnë dhe/ose paraqesin sipas kontratës, ligjit, marrëveshjeve ndërkombëtare dypalëshe dhe/ ose shumëpalëshe.” – shkruante kompania gjermane në një letrër drejtuar autoriteteve dy ditë përpara se Kuvendi i Shqipërisë të miratonte me 76 voto pro, projektin “Durrës Yachts & Marina”.
Çfarë ndodhi më pas?
Nisur nga shqetësimi publik i kompanisë gjermane EMS dhe ‘kërcënimi’ për një përballje arbitrazhi, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Autoritetit Portual të Durrësit. Në përgjigjen dërguar më 2 shkurt, Autoriteti Portual bënte me dije se koncesionari EMS-APO ishte konsultuar paraprakisht me planet zhvillimore dhe projekt- idenë për zhvillimin e Marinës turistike dhe Ballinës ujore të Durrësit që në muajin qershor 2021. Madje, sipas APD-së, kompania gjermane mbështeste planet e qeverisë për zhvillimin e portit turistik të Durrësit, duke shprehur edhe gatishmërinë për lirimin gradual të sipërfaqeve të terminalit në funksion të mbarëvajtjes së këtij projekti.
“Me shkresën e tyre nr. 131 datë 18.06.2021 EMS-APO ka paraqitur gjithashtu në mënyrë hartografike modifikimet e hapësirave koncesionare në varësi të marrëveshjes mes palëve.”, përfundonte sqarimin për Faktoje, Autoriteti Portual Durrës.
Krahas kërkesës ndaj Autoritetit Portual Durrës, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për koment edhe kompanisë gjermane EMS.
Padi 40 milionë euro kundër Shqipërisë
Në një kohë që Autoriteti Portual Durrës mohonte mosmarrëveshjet me kompaninë koncensionare, gjermanët e EMS Shiping &Trading përgatisnin padinë kundër shtetit shqiptar në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit ICSID, (Uashington). Kompania gjermane EMS Shipping &Trading GmbH, që ka me koncesion terminalin lindor në Portin e Durrësit, kërkon 40 milionë euro kompensim nga qeveria shqiptare për thyerje të njëanshme të kontratës koncesionare.
Padia e tyre u regjistrua në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit ICSID më 7 prill.
Si arriti kontrata deri në Arbitrazh?
Ndryshe nga sa pretendon Autoriteti Portual Durrës, Ceo i EMS-Fehn-Group, z. Manfred Mueller, shpjegon në një intervistë për Faktoje, se konflikti mes palëvë ka nisur të kristalizohet tre vite më parë, për të kulmuar sivjet me padinë në arbitrazh.
“Konflikti aktual me autoritetet shqiptare u kristalizua në vitin 2020, ndonëse tensionet e para ishin shfaqur tashmë në vitet e mëparshme. Nga ana tjetër, ne në EMS-Fehn-Group kemi përshtypjen e fortë se autoritetet shqiptare kanë penguar qëllimisht aktivitetet e Operatorit të Portit Shqiptar të EMS (EMS APO’s) me qëllim që të shtrydhin biznesin e kompanisë, ndoshta për të lehtësuar transformimin e Portit të Durrësi në një port turistik.
Gjatë dy viteve të fundit, EMS ka kontaktuar vazhdimisht me një sërë institucionesh të ndryshme në Shqipëri, përfshirë Autoritetin Portual Durrës, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe vetë Kryeministrin, për të gjetur një zgjidhje për konfliktin. Fatkeqësisht, asnjëri prej tyre nuk ka treguar ndonjë interes real për t’u angazhuar në një dialog, e aq më pak për të arritur një marrëveshje.”, shprehet zoti Mueller, duke theksuar se kompania ka vënë në dijeni autorietet për mundësine e arbitrazhit që në gusht të vitit të kaluar, por asnjë prej tyre nuk ka reaguar.
“Më shumë se gjashtë muaj, pasi Qeveria Shqiptare u njoftua zyrtarisht në gusht 2022 për qëllimin e EMS për të nisur një arbitrazh nëse nuk mund të gjendej një zgjidhje miqësore, kompania nuk kishte marrë ende asnjë reagim ndaj letrës së saj. Kështu, ajo depozitoi kërkesën për arbitrazh kundër shtetit shqiptar përpara Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) në Uashington, D.C., SHBA, të depozituar më 7 prill 2023.” – pohon CEO i EMS-Fehn-Group, z. Manfred Mueller, duke shtuar se kompania gjermane nuk pati alternativë tjetër përveç arbitrazhit.
“Qëllimi i arbitrazhit është të kërkojë kompensim financiar për humbjet e shkaktuara nga shkeljet nga Shqipëria të traktatit dypalësh të investimeve midis Gjermanisë dhe Shqipërisë, duke përfshirë, por pa u kufizuar në uljen e sasisë së ngarkesave të trajtuara nga EMS APO, si dhe humbjet ende ndodhin si rezultat i veprimeve të mëtejshme të Shqipërisë.”, thotë më tej ai.
Kompania gjermane pretendon se qeveria shqiptare e ka trajtuar në mënyrë arbitrare dhe diskriminuese duke i shkaktuar dëme të mëdha financiare në shkelje të marrëveshjes koncesionare. Ndërkohë që thekson se qeveria ka trajtim preferencial me dy koncesione të tjera, ai për transformimin e portit të mallrave në Durrës në një port turistik si dhe ai i portit MBM në Porto Romano.
Çfarë thotë Autoriteti Portual Durrës?
Autoriteti Portual Durrës vijon të instistojë me të njëjtat argumenta. Në një tjetër përgjigje ndaj kërkesës për informacion, APD thotë për Faktoje se ka marrë pëlqimin e gjermanëve për të dyja projektet zhvillimore në zonat portuale Durrës – Porto Romano teksa mohon pretendimet e tyre se nuk kanë patur rrugë tjetër përveçse zgjidhjes me arbitrazh.
“APD ka patur gjithashtu një korrespondencë të vazhdueshme me EMS-APO në lidhje me këto çështje dhe referuar propozimit të vetë EMS-APO, Qeveria shqiptare ka vijuar me hapat e mëtejshëm procedurialë për të mundësuar amendimet e nevojshme të Kontratës Koncesionare dhe përditësimit të zonës së operimit, pa cënuar në asnjë moment as objektin e veprimtarisë së Kontratës dhe as vijimësinë e saj.Gjithashtu dhe në kuadër të vullnetit të shprehur prej vetë EMS-APO për të mbështetur projektet e zhvillimit të portit të Durrësit, Autoritetet shqiptare kanë vijuar me hapat tekniko ligjorë të vlerësimit dhe miratimit të Investimit Strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”.
Autoriteti Portual shton se autoritetet shtetërore kanë treguar gatishmërinë e plotë për të vlerësuar dhe garantuar të gjitha kërkesat e subjektit EMS-APO, më konkretisht:
Garancinë nga Autoriteti Kontraktor për vijueshmërinë e aktivitetit të koncesionarit EMS – APO, për periudhën e mbetur të Kontratës koncesionare;
-Lirimin e sipërfaqeve të caktuara sipas propozimit të vetë EMS-APO, duke e përjashtuar këtë të fundit dhe nga pagesa e qirasë për këto sipërfaqe;
-Rishikimin e kostove dhe shpenzimeve të Konçesionarit, ku vlera e investimeve nuk do ndryshojë, por kërkohen adaptime të zërave specifikë;
-Angazhime të tjera të palëve në përputhje me parashikimet e kontratës.
Për këtë qëllim, Autoriteti Portual i Durrësit shton se ka patur komunikim të vazhdueshëm shkresor me EMS – APO, sikundër janë organizuar dhe takime mes koncesionarit dhe përfaqësuesve të Autoriteteve shtetërore relevante.
Avokatura e Shtetit po përgatit mbrojtjen
Të gjitha këto pretendime palët i paraqesin në atë që njihet si faza e parë e procesit të arbitrazhit. Aktualisht, autoritetet bashkë më Avokaturën e Shtetit po përgatisin strategjinë e mbrojtjes kundër gjermanëve të EMS-APO në gjykatën ndërkombëtare ICSID.
“Strategjia e mbrojtjes përgatitet nga Avokatura e Shtetit në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse dhe përfshin një tërësi veprimesh dhe ndërveprimesh të mundësuara nga legjsilacioni në fuqi, në zbatim të nevojave konkrete të procesit në fjalë. Duke qenë se procesi është në zhvillim e sipër dhe nuk ka përfunduar, vlerësojmë se informacioni që ju kërkoni nuk mund t’ju vendoset në dispozicion, për shkak se përmban të dhëna konfidenciale të palëve të përfshira në proces, si dhe përhapja e këtij informacioni do të cënonte interesat e shtetit shqiptar, në këtë proces arbitrazhi.”, shkruan në një përgjigje zyrtare për Faktoje Avokatura e Shtetit, duke u kujdesur të mos japë detaje që mund të cënojnë procesin e arbitrazhit në vijim./faktoje.al