Detaje të reja kanë dalë në dritë për vrasjen që tronditi Shkodrën dy ditë më parë, kur në lagjen “Tom Kola” u ekzekutua me armë brenda banesës së tij për një sherr në lidhje me qeranë, Petrit Vuksani.
51-vjeçari që prej një muaj kishte ardhur nga Anglia shkoi për të nxjerrë jashtë shtëpisë që i kishte dhënë me qira, Lekë Vuksani, pasi nuk i kishte kryer pagesat e rregullta, por ky i fundit i mori jetën me breshëri automatiku.
34-vjeçari u rikthye në banesë duke e gjetur të vetëm Petrit Vuksani ndërsa qëlloi ndaj tij disa herë.
Pas 21 orësh kërkimesh, policia e Shkodrës dhe Forcat Renea bënë arrestimin e e Lekë Vuksanit në një banesë, ku ai kishte detyruar nën kërcënimin e armës të zonjën e shtëpisë që t’a strehonte.
Në dëshminë e dhënë për policinë vendore të Shkodrës, të cilën në fund nuk ka pranuar që ta firmosë, 34-vjeçari ka deklaruar se njihej me viktimën pasi të dy janë nga Dukagjini dhe se i kishte marrë shtëpinë me qira prej disa kohësh.
Muajt e fundit viktima dhe autori janë konfliktuar disa herë për qiranë, pagesat e ujit dhe të energjisë elektrike, të cilat pronari Petrit Vuksani që mbeti i vrarë ka pretenduar se nuk janë shlyer nga qiramarrësi Lekë Vuksani.
Ky i fundit ka pranuar autorësinë e vrasjes, duke deklaruar se para vrasjes kanë debatuar me njëri-tjetrin pasi Petriti kishte vendosur t’a nxirrte nga shtëpia.
“Me Petritin jemi njohur sepse edhe ai është nga Dukagjini. I kam marrë shtëpinë me qira duke qenë se ndodhej në Angli. Muajt e fundit kemi patur disa debate për qiranë e shtëpisë por edhe për pagesat e ujit dhe të energjisë elektrike. Atë ditë kur ndodhi vrasja Petriti erdhi dhe më nxori nga shtëpia. Unë u ktheva dhe e gjeta vetëm. Aty kemi debatuar dhe në debat e sipër gjeta një automatik që nuk është i imi, por i Petritit. Në debat e sipër kam marrë armën dhe e kam qëlluar”, mësohet të ketë thënë autori në bisedën e lirë me efektivët.
Lekë Vuksani gjithashtu ka pretenduar se arma e krimit është e viktimës, por policia ka prova se armën 34-vjeçari e kishte sjellë me vete dhe ishte e tija.
Ndërkohë mësohet se vëllai i autorit të dyshuar ka bashkëpunuar që nga momentet e para me policinë vendore të Shkodrës sepse ka një miqësi të ngushtë me vëllain e viktimës.
“Unë e kam njohur Petritin, por edhe vëllain e Petritit e njoh dhe e kam shumë shok. Unë nuk kam qenë aspak në dijeni për vrasjen që do të kryente vëllai im sepse po ta kisha ditur do bëjë maksimumin për ta parandaluar. Më vjen shumë keq për çfarë ka ndodhur sepse kisha miqësi me familjen e viktimës”, deklaroi vëllai i Lekë Vuksanit në polici.
Sakaq, mësohet se edhe pse mbajnë të njëjtin mbiemër, viktima dhe autori nuk kanë asnjë lidhje gjaku mes tyre, përveçse njiheshin duke qenë se të dy janë me origjinë nga Dukagjini.