Ka zgjatur rreth 21 orë arratia e Lekë Vuksanit, 34-vjeçarit, i cili tronditi shkodrën mesditën e djeshme duke vrarë me armë zjarri në një banesë në lagjen “Tom Kola”, pronarin e shtëpisë ku jetonte me qira, Petrit Vuksani.
Autori i ngjarjes është vënë në pranga pasi është lokalizuar nga policia e Shkodrës, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA.
“Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga shtetasi L. V., 34 vjeç, banues në Shkodër. Policia gjen dhe sekuestron armën e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se autori kreu krimin. Ky shtetas dyshohet se rreth orës 12:15, të datës 02.05.2023, në lagjen “Tom Kola”, vrau me armë zjarri automatik, në banesë, shtetasin P. V., 51 vjeç”, njoftojnë uniformat blu.
34-vjeçari kishte një raport vetëm pronar-qiramarrës me 51-vjeçarin, pavarësisht mbiemrit që është një koincidencë dhe kjo është konfirmuar nga burime prej familjarëve të të dyja palëve.
Banesa ku u vra Petriti duket se ka qenë molla e sherrit, pasi kur është kthyer nga Anglia para 1 muaji i ka kërkuar Lekë Vuksanit që të lironte shtëpinë ku jetonte me qera prej vitesh.
I riu nuk ka rënë dakord duke thënë se kishte një kontratë dhe nuk mund ta nxirrte nga shtëpia, ndërsa përplasjet mes tyre kishin rreth 1 muaj që vijonin.
Mësohet se autori i dyshuar nuk njihej si person problematik dhe rezulton pa precedentë penalë. Sa i përket viktimës, fqinjët janë shprehur se e njihnin atë shumë pak, pasi pjesën më të madhe të jetës e kishte kaluar jashtë vendit.
Sipas dinamikës së rindërtuar të ngjarjes, autori hyrë brenda banesës ku 51-vjeçari jetonte pas një konflikti mes tyre për pagesat e qerasë dhe e ka qëlluar disa herë me armë zjarri, duke i marrë jetën.
Petrit Vuksani ka qenë i vetëm në shtëpi kur është qëlluar nga autori. Prej një muaji 51-vjeçari ishte kthyer në atdhe, ashtu siç shpesh herë bënte, për të qëndruar në Shkodër ose në vendlindjen e tij, në Dukagjin.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
LEXO EDHE:
EMRAT/ Vrasje me armë në Shkodër, qiraxhiu qëllon për vdekje 51-vjeçarin në banesë