Ditën e djeshme në Tiranë policia i dha fund tmerrit të përjetuar nga një 28-vjeçare, e cila për një javë është mbajtur peng nga bashkëjetuesit i saj, i cili e ka dhunuar barbarisht duke e goditur me bisht karrigeje dhe çarë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit.
Ngjarja u zbulua pasi e reja e quajtur Reisi, u dorëzua në duart e mjekëve në një klinikë private pranë Komisariatit Nr.2 nga kunata e saj dhe kushërira e bashkëjetuesit, të identifikuar si Gleard Gusholli.
Uniformat blu pak pasi nisën hetimet për ngjarjen vunë në pranga 31-vjeçarin e dhunshëm në zonën e “Zogut të Zi”, ndërsa pas arrestimit Gusholli u shpreh se e kishte dhunuar 28-vjeçaren pasi ishte shumë xheloz.
Ndërkohë, për mbajtjen me forcë të së resë në ambientet e banesës ku bashkëjetonte në rrugën “Frosina Plaku” dhe dhunimin e saj, pas hekurave kanë shkuar edhe Besmir Nurçellari (36 vjeç) e Arjan Sheta (41 vjeç) pasi nuk kallëzuan krimin dhe ndihmuan Gushollin të fshehë provat.
Gjithashtu policia ka vënë në pranga dy vëllezërit Bledi Kateshi (27 vjeç) dhe Erlind Kateshi (42 vjeç), pasi kanë ndihmuar Gushollin të largohet nga vendi i ngjarjes ku dhunoi bashkëjetuesen me sende të forta.
Sakaq, e reja ka treguar ditën e sotme për mediat të gjithë detajet nga ngjarja, duke u shprehur se në disa raste ka tentuar të hidhet nga kati i pestë, pasi nuk mund të duronte më torturat dhe dhunën e ushtruar nga 31-vjeçari.
Reisi, ka zbuluar se me Gushollin është njohur në Gjermani kur ai ka qenë i shtruar në spital dhe ajo ishte e punësuar si infermiere aty.
28-vjeçarja shprehet se është dashuruar me 31-vjeçarin dhe kanë bashkëjetuar për një vit pranë banesës së prindërve të saj, të cilët prej 30 vitesh janë emigrantë të rregullt në Gjermani.
Ajo rrëfen se Gleardi ishte i dhunshëm dhe konsumonte kokainë, ndërsa së fundmi pas 3 muajsh ndarje ajo e kishte falur dhe kishte ardhur në Tiranë për të jetuar dhe ndërtuar familje me të.
Ndërkohë avokati i saj mbrojtës, Enea Cenko ka kërkuar që të shtohen 2 vepra penale për autorin.
“Kërkoj në mënyrë urgjente kualifikimi i veprës penale për pengmarrje dhe tentative vrasje. Ka plagosje të rëndë, pengim të zbulim të vërtetës dhe prodhim shitje narkotike. Për këtë situatë në bazë të informacioneve që kam, ka pasur motive xhelozie dhe për një kallëzim në shtetin gjerman. E mbrojtura nga unë ka pasaportë gjermane, infermiere në Gjermani ku edhe punonte dhe është njohur me 31-vjecarin. Të dy janë dashuruar dhe kishin një javë që bashkëjetonin. Gjendja psikologjike është e rënduar. Ka shenja në trup. I bëj apel institucioneve shtetërore që të marrin në mbrojtje atë vajzë”, tha avokati për mediat.
DËSHMIA
E reja e quajtur Reisi ka zbuluar se është vajzë e dy emigrantëve nga Tirana dhe ka lindur në Gjermani, ku vijoi jetën dhe përfundoi studimet për infermieri.
Madje ajo e ka njohur bashkëjetuesin që e dhunoi barbarisht në ambientet e spitalit ku punonte, pasi e ka ndihmuar në një rast kur 31-vjeçari nuk ndihej mirë.
“Gleardin e njoha në spital në Gjermani ku punoja si infermiere. Duke qenë se nuk dinte gjuhën më caktuan mua të kujdesesha për të. Kështu nisi njohja jonë. Më pas filluam bashkëjetesën në një banesë pranë banesës së prindërve të mi”, tha Reisi.
Prej asaj kohe 28-vjeçarja është dashuruar me Gleard Gushollin, i cili e mbajti me forcë mbyllur në shtëpi, prej fillimit të prillit, kur Reisi fluturoi nga Gjermania drejt Tiranës për të bashkëjetuar me të.
Siç vajza ka treguar për mediat lidhja midis të dyve nga momenti i njohjes ka zgjatur një vit, por ata u ndanë shpejt për shkak se Gusholli ishte i dhunshëm, por sërish Reisi nuk hoqi dorë prej tij.
Pavarësisht këmbënguljes së saj për të sakrifikuar jetën në Gjermani dhe për të jetuar me 31-vjeçarin në Tiranë, duket se tre muaj ndarje u përdorën nga dhunuesi si një fije ku ai të kapej duke kërkuar llogari dhe duke bërë skena xhelozie.
“Ai u arrestua në Austri dhe pas burgut u kthye në Tiranë. Ne nisëm të komunikonim sërish dhe unë lashë gjithçka dhe erdha në Tiranë. Në momentin që erdhëm këtu u bë obsesiv dhe kontrollonte gjithçka timen. Vendosi të më mbante peng në banesë dhe më ka dhunuar në mënyrë barbare. Më ka goditur me këmbë të karriges, më ka kërcënuar me thikë, më ka shantazhuar se do bënte disa video që ai nën dhunë dhe presion kishte filmuar ndërsa isha në dush. Kam tentuar të hidhem dhe nga kati i pestë. Ai më tha që dua që të vuash, jo të vetëvritesh”, ka rrëfyer ajo.
Përveç dhunës barbare ndaj saj, e reja ka treguar se ndihet keq pasi njerëzit e 31-vjeçarit e kanë mohuar se e njohin kur e kanë dorëzuar para bluzave të bardha.
“Kushërira e Gleardit më ka ndihmuar të dilja nga shtëpia. Kunata na pa tek ashensori dhe më tha ‘çfarë të ka bërë vëllai im kështu’. Por kur zbritëm tek ambulanca ajo dhe kushërira e tij thanë që nuk e njohim, e gjetëm në rrugë dhe në spital kam ardhur me ambulancë”, ka rrëfyer më tej vajza.
Në ambientet e spitalit të Traumës, ku 28-vjeçarja ndodhet në kujdesin e mjekëve, kanë mbërritur për të qëndruar pranë saj edhe babai, i cili jeton prej 30 vitesh në Gjermani e daja i saj.
E reja ka folur e traumatizuar për mediat duke kërkuar drejtësi. Ajo ka zbulua se bashkëjetuesit e ka prerë me thikë në çdo pjesë e trupit dhe shenjat më të dukshme i ka në pjesët e gjymtyrëve të poshtme.
Reisi është shprehur se do të kthehet në Gjermani sapo gjendja e saj shëndetësore të përmirësohet, por lutja e saj është për autoritetet shqiptare që të vendosin drejtësi për rastin, pasi Komisariati Nr.2 ka ngritur akuza tepër të lehta ndaj 31-vjeçarit Gleard Gusholli.
Rrëfimi plotë:
“Më ka kërcënuar do të hedh në lumë, do marr kushëririn në telefon, nuk do të nxjerr nga shtëpia. Kam tentuar disa herë të hidhesha nga ballkoni se nuk e dora dot më. Më gjuante me grushte e me shkop. Më nxirrte thikën, ma mbante te këmba, më thoshte do ta çaj barkun. I lutesha të më hapte derën. Nuk më do mirë, vetëm më hap derën. Donte të hakmerrej se kemi qenë 3 muaj të ndarë. Në Gjermani ka nisur nga dhunë. Prindërit e mi e kanë marrë vesh dhe e kanë nxjerrë nga shtëpia. Kishim 1 vit e gjysmë që njiheshim. Në Gjermani më ka dhunuar, nuk e kemi denoncuar as unë as familja. Prej xhelozisë donte të hakmerrej, më merrte telefonin, nuk kontaktoja dot askënd. Në Gjermani kemi bashkëjetuar 1 muaj e gjysmë dhe prindërit e mi e nxorrën nga shtëpia.
Persona të tjerë nuk kanë ndikuar në këtë dhunë por e di që fliste në telefon, shkruante mesazhe, më kërcënonte se do vijë shoku im tani, do të torturojmë.
Ai akuzonte prindërit e mi dhe mua që ne e kemi denoncuar, ne s’kemi bërë as denoncim e asgjë dhe në këtë moment merr gocën e dajës në telefon dhe i thotë të lutem më gjej një avokat në Gjermani dhe më thuaj pse s’më lejohet të hyj në Gjermani.
Kur flisja në telefon me gocën e dajës së tij, ajo i thoshte të lutem mos u zini. Kur folëm prap në telefon, i thashë gocës së dajës të vijë të më ndihmojë. Më fuste 4 gishtat në grykë dhe donte me ma marr shpirtin. Unë e dija që po vdes e po jap shpirt. Më ka dhunuar. Unë kam lindur e jam rritur në Gjermani, jam infermiere.
Ai ka qenë në qytetin tim dhe ka kërkuar ndihmë se nuk ndihej mirë. Unë si shqiptare doja ta ndihmoja.
Më ka detyruar të konsumoj drogë. Këto 5 ditët e fundit e kam kosnumuar, herët e tjera s’kam pasur kurrë lidhje me drogë. Mua nuk ka cfarë më mban Shqipëria, erdha të krijoja familjen me Gleardin, erdhi të hakmerret me mua. Me familjarët s’kam folur. Ditën që erdhi kunata për të më ndihmuar, rreth 15 herë më fuste gishtat në fyt e donte të më mbyste. Kur hapi derën ishte kunati i Gleardit, cuni i dajës dhe goca e dajës. Ata e nxorrin nga shtëpia. Goca e dajës më veshi rroba se isha nudo, më kishte futur në dush e donte të më vriste. Unë jam e vdekur”.
DINAMIKA
Ngjarja u zbardh vetëm mesnatën e kaluar, kur e reja e masakruar nga bashkëjetuesi Gleard Gusholli u la me shenja dhune dhe në gjendje të rëndë në ambientet e një klinike pranë Komisariatit Nr.2 në kryeqytet.
Mësohet se pasi janë telefonuar për t’u njoftuar mbi rastin, policia ka nisur menjëherë hetimet duke zbuluar se 28-vjeçarja ishte dërguar në klinikë nga dy vajza të tjera.
Sipas dinamikës së zbardhur të ngjarjes, nisur nga plagët e rënda që kishte në trup ajo është transportuar me urgjencë për në Spitalin e Traumës. Aty mjekët kanë konststuar se ishte e goditur dhe e gjakosur në të gjithë trupin, duke urdhëruar që t’i nënshtrohej ndërhyrjeve kirurgjikale.
Pas kësaj, policia ka zbuluar se njëra prej vajzave që e ka dërguar në klinikën private ka qenë motra e agresorit. Ajo është marrë në pyetje dhe ka zbuluar për hetuesit banesën ku vajza është mbajtur dhe dhunuar për ditë me radhë.
Brenda banesës policia ka gjetur edhe një këmbë karrigeje me të cilën dyshohet se Gusholli ka dhunuar barbarisht bashkëjetuesen e tij.
Sakaq, mësohet se njëri prej djemve që ka ndihmuar Gushollin të largohet e të fshihet ka qenë kunati i tij (burri i motrës).
Për disa orë me radhë policia e ka kërkuar 31-vjeçarin dhe e ka lokalizuar më pas pranë zonës së “Zogut të Zi”. Gusholli, pasi është arrestuar ka treguar se ishte shumë xheloz, por nuk ka dhënë detaje të plota e konkrete në lidhje me ngjarjen e rëndë.
LEXO EDHE:
EMRAT/ Mban peng 1 javë bashkëjetuesen dhe e dhunon, pranga 31-vjeçarit dhe 4 shokëve