Kërcënimet ndaj gjyqtarit që shqyrtonte çështjen e kujdestarisë të së bijës, i kanë kushtuar shtrenjtë një shqiptari në Itali.
39-vjeçari me precedentë të mëparshëm penalë nuk pranoi që vajza e tij e mitur t’i besohej ish-partneres dhe për këtë arsye kërcënoi dhe përndoqi gjyqtarin dhe punonjësit socialë në Verbania.
Karabinierët më pas e gjurmuan shqiptarin në Spanjë, ku u arrestua nga agjentët e Guardia Civil. Ai aktualisht ndodhet në burg në Spanjë, në pritje të ekstradimit në Itali.
Për 39-vjeçarin ishte ndërkohë në fuqi edhe një urdhër arresti ndërkombëtar, lëshuar nga gjykata e Milanos, kompetente për krimet që përfshijnë gjyqtarët e Verbania.
Historia daton në shtatorin e kaluar, ku pas dënimit, i bindur se ishte trajtuar keq, 39-vjeçari filloi të kërcënonte me hakmarrje punonjësit socialë, sipas tij përgjegjës se e kishin lënduar atë dhe vajzën e tij.
Viktimave të tij, për të cilët ishte vendosur vigjilencë në vendet e punës dhe shtëpitë e tyre, ai filloi t’u dërgonte mesazhe kërcënuese, si “do të përgjigjeni një nga një”, “do hakmerrem edhe nëse çmimi do jetë të mbyllem për pjesën tjetër të jetës pas hekurave” dhe “do t’iu bëj të varrosni fëmijët tuaj”.
Në Facebook, 39-vjeçari kishte paralajmëruar edhe një aksion të dhunshëm në gjykatën e Verbanias.