U reklamua si një proces i domosdoshëm dhe do t’i shkohej deri në fund, së paku me 300 gradat e para në radhët e uniformave blu. Por vetingu në Policinë e Shtetit prej një viti nuk ekziston.
Ai mundi të japë 64 vendime, ndërsa sot askush nuk di të thotë ku është Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, cilët janë efektivët që nuk kualifikohen dhe si kryhet ky proces që me ligj i ka kaluar Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Më 8 nëntor 2019, afro katër vite më parë në Policinë e Shtetit do të niste me një këmbëngulje dhe promovim e faturë të lartë financiare edhe vetingu në radhët e uniformave blu.
I pari do të shpallej ndaj efektivit të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, i njohur si SHÇBA z.Oltion Shehu. Ai u përjashtua asokohe ndërsa katër vite më pas, ku proces i kushtueshëm është zhdukur sikur të mos kish ekzistuar.
Askush sot nuk di se sa ishte fatura e vetingut në polici, nuk di përse u ndaluar dhe çfarë prodhoi në të vërtetë.
Teksa vetingu nga njëra anë vazhdon për sistemin e drejtësisë, për uniformat blu gjithçka do të ndalte më 17 mars të vitit 2022 kur do të shpallej i fundit.
Ai i përket efektivit Enton Radovani po nga radhët e SHÇBA i cili u konfirmua në detyrë.
Por çfarë ndodhi nga 2019 në 2022?
FactCheck sjell një kronologji ku vendimet e marra nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit në total ishin 64, mesatarisht nga 1 e gjysmë në muaj.
Asokohe u fol për 30 gradat e para të cilat do ti nënshtroheshin vetingut, ndërsa sot në radhët e policisë as 100 nuk iu nënshtruan këtij procesi.
Me ndryshimet ligjore u vendos që SHÇBA, e njohur tani si Agjencia e Mbikëqyrjes Policore do ta ndiqte këtë proces, por prej 17 mars 2022 ky proces ka vdekur!
/MCN/