Erling Haaland është njeriu i rekordeve! Sulmuesi norvegjez ishte i jashtëzakonshëm në takimin e të 16-ve të Ligës së Kampioneve Mançeter Siti-Lajpcig duke shënuar pesë gola.
Në vetëm 25 ndeshje të luajtura në kompeticionin më të rëndësishëm të kontinetit, 22-vjeçari ka shënuar 33 gola. Haaland ka thyer rekordin e Rud van Nisterloit, i cili kishte realizuar 31 gola në 34 sfida. Ky është një sezon rekordesh për bomberin e Sitit. I pandalshëm si në Premier Ligë, ashtu edhe në Europë.
Në total, ai ka realizuar në këtë vit futbollistik 39 gola, 28 në kampionat, 1 në Carabao Cup dhe 10 në Ligën e Kampioneve.
Në formatin aktual të Champions, që nisi nga sezoni 1992-93, vetëm 2 lojtarë kishin arritur që të shënonin pesë gola në një sfidë të vetme. Ata janë Luiz Adriano (në sfidën Bate Borisov-Shakhtar 2014-15) dhe Leo Messi në Barcelona-Bayer Leverkusen të sezonit 2011-12.