Që Donald Lu dhe Adriatik Llalla nuk e honepsin dot njëri-tjetrin, u mor vesh në fillim të këtij viti, kur Reforma në Drejtësi nisi të hedhë hapat e parë. Rrënjët e konfliktit ishin më të thella dhe Llalla e dinte se nuk kishte vend për të në drejtësinë e re që kërkonin amerikanët. Ai që hodhi gurin e parë publikisht ishte Donald Lu në fillim të këtij viti:
“Po shohim tashmë njerëz të fuqishëm që po përpiqen të ruajnë kontrollin e tyre mbi gjykatat dhe prokurorët. Shembulli më i fundit për këtë është veprimi i prokurorit të përgjithshëm të Shqipërisë. Për më shumë se 18 muaj ai ka folur vazhdimisht dhe me zë të lartë kundër reformës në drejtësi” (deklarata e Lu në 2 shkurt 2017)
Ambasadori e akuzoi Llallën edhe për konfiskimin e serverit të ILDKPI-së, aty ku ruhen deklarimet e pasurisë të zyrtarëve shtetërorë prej vitesh. Aludimi ishte se prokurorët donin t’i manipulonin deklaratat e pasurisë para se të niste Vetingu. Reagimi dhëmb për dhëmb i Adriatik Llallës nuk pritej.
Disa orë pasi Lu e shpalli armik të Reformës në Drejtësi, Prokurori i Përgjithshëm doli në studion e Opinion. E akuzoi ambasadorin amerikan për shantazh, e quajti sorosian dhe i përmendi çështjen e Bankers Petrolium, për të cilën ambasadori kishte ndërhyrë personalisht në mbylljen e hetimeve.
Por goditja më e fortë e Llallës ishte kur Blendi Fevziu e pyeti nëse Donald Lu i kishte kërkuar apo jo arrestimin e Sali Berishës. Prokurori la të kuptohet se kjo ishte e vërtetë. (video e intervistës me Llallën në Opinion në 2 shkurt 2017)
Fevziu: Pyetja është konkrete Zoti Llalla. Kjo pyetje ka dalë në shtyp dhe referohet, nuk referohet emri por mendohet që është një ambasador i rëndësishëm, jo ambasadori amerikan, por një ambasador i rëndësishëm. A ju kanë kërkuar realisht arrestimin e personave konkretë, në këtë rast po ju pyes konkretisht, sepse është publikuar konkretisht: të ish kryeministrit Berisha?
Llalla: Këto ambasadorë kanë përfituar nga fakti të imunitetit nga statusi të cilin ata kanë. Nëse këto ambasadorë nuk do të kishin imunitetin që kanë për shkak të statusit, ata sot do të ishin para përgjegjësisë. Në zyrën time ambasadorë të tillë kanë ardhur duke kërkuar të imponohen në mënyrë të tillë për arrestimin e zyrtarëve të lartë në vend, detyrë të cilën…
Fevziu: Ju kanë sjellë fakte? Se nëse ju kanë sjellë fakte është për t’u përshëndetur.
Llalla: Nuk mund të sjellë fakte. Ai është ambasador jo oficer i policisë gjyqësore. Por në mënyrën si ata e vlerësojnë kanë kërkuar edhe arrestimin edhe të emrave përkatës dhe të zyrtarëve përkatës.
Duhen edhe pak ditë që mandati i Llallës si Prokuror i Përgjithshëm të mbarojë dhe Partia Socialiste po nxiton ta nxjerrë nga zyra sa më shpejt. Emrat e zëvëndësuesve janë gati. Çështja ka mbetur vetëm te ai që i shërben më shumë Ramës. Prokurori i ri i Përgjithshëm do të zgjidhet vetëm me votat e socialistëve në parlament.
Nxitimi që ka kapur qeverinë është i kuptueshëm. Saimir Tahiri dhe Vangjush Dako përmenden në përgjimet e trafikantëve të drogës. Të dy rezultojnë të implikuar me rrjetet e trafikut të kanabisit dhe kokainës. është e qartë se çfarë do të bëjë me këto dokumenta shefi i ri që do të çojë Rama në prokurori.
Në këtë situatë, Donald Lu ka zgjedhur të heshtë. Ndoshta edhe po e shijon momentin. Ndoshta e sodit nga larg zëvëndësimin e Llallës. Njeriu që guxoi ta sfidonte, po i servirin pjatën e ftohtë të hakmarrjes.
Por a duhet të heshtë Donald Lu para shqiptarëve?
Adriatik Llalla mund të jetë një nga protagonistët e kulturës së pandëshkueshmërie të rrënjosur këtu e 27 vjet në Shqipëri. Vazhdimi i mandatit të tij mund t’i shërbejë të njëjtës kulturë kompromisi apo të njëjtit kah politik që e vuri në krye të prokurorisë. Çështja është prokurori i ri që do të kenë shqiptarët. Donald Lu premtoi një drejtësi të re, dhe ai nuk mund të heshtë duke fërkuar duart për ndëshkimin që merr Llalla dhe trofeun që merr Rama.
Nëse Reforma në Drejtësi do të kishte ecur me ritmet e duhura, sot do të ishte në punë Këshilli i Lartë i Prokurorisë. KLP garanton një proces që ka si qëllim zgjedhjen e një prokurori sa më i baraslarguar nga politika. Për bllokimin e këtij procesi këto ditë kanë folur shumë juristë, gazetarë, politikanë etj, por Donald Lu ka heshtur. Ndërkohë që periodikisht, ambasadori kishte dhënë garanci.
“As edhe një shqiptar i vetëm nuk beson se sistemi i drejtësisë është i pavarur. Jo i pavarur nga ryshfeti, telefonimit të drejtësisë, ku persona të rëndësishëm telefonojnë gjyqtarët për udhëzime si dhe jo i pavarur nga krimi i organizuar. Kjo reformë do t’i japë Shqipërisë shansin e vërtetë për të bërë sistemin e drejtësisë për herë të parë të pavarur” (deklaratë e Donald Lu në shtator të 2015)
Ajo ç’ka pritet të ndodhë është krejt e kundërta e premtimeve të ambasadorit. Procesi ka degraduar dhe zgjedhja e Prokurorit të ri të Përgjithshëm nuk do të jetë më e vështirë për Ramën, sesa zgjedhja e një drejtuesi në Organizatën Socialiste të lagjes.
Shkak për këtë është bllokimi i Reformës në Drejtësi, projektit që ambasadori amerikan i doli për zot.© Lapsi.al