Shuhet në moshën 85-vjeçare arkeologu Fatos Tartari.
Ai lindi në Durrës, ku dhe u arsimua e më pas përfundoi studimet e larta në Fakultetin e Histori-Filologjisë, të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1961.
Autor i shumë artikujve shkencorë në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, ai u nderua dhe me çmimin e parë ndërkombëtar “CLIO” në Paris, në vitin 2005.
Mori pjesë si partner në projektin “Glassway” me pjesëmarrjen e mjaft universiteteve dhe institucioneve kërkimore-shkencore të vendeve të Mesdheut Perëndimor, si Universiteti i Maltës, i Algjerisë, i Katalonjës në Spanjë, Milanos, Raguzës dhe Palermos, në Itali.
Fatos Tartari ishte një qytetar shumë aktiv edhe në jetën kulturore të qytetit, duke denoncuar dëmtimet e vazhdueshme të arkeologjisë në Durrës. Pjesë e lëvizjeve qytetare kundër dëmtimit të nëntokës së qytetit antik, Tartari ishte një zë i fortë në mbrojtje të trashëgimisë së pasur kulturore të Durrësit.
Homazhet në nderim të arkeologut Fatos Tartari do të zhvillohen të enjten tek agjencia funerale pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit.