Një 37-vjeçar shqiptar me banim në Milano ka përfunduar pas hekurave, pasi akuzohet se ka lidhje me një ngarkesë prej 60 kg kokainë që është gjetur brenda kontejnerëve me banana të mbërritura në një port Italian, nga Ekuadori.
Hetuesit e Guardia di Finanza të Savonës, në bashkëpunim me zyrtarët e Agjencisë së Akcizave, zbuluan 60 kilogramë kokainë të ndarë në 50 paleta brenda një kontejneri me banane që mbërriti në portin e Vado Ligure.
Droga e sekuestruar do të kapte vlerën prej mbi 5 milionë euro nëse shitej me pakicë, sipas autoriteteve italiane.
Ngarkesa e drogës ndodhej në bordin e anijes “Victoria L”, që ishte nisur nga Ekuadori dhe u zbulua pas një kontrolli të plotë.
Më pas hetimet çuan në arrestimin e 37-vjeçarit shqiptar, i cili u ndalua teksa po përpiqej të hapte kontejnerin për të marrë drogën.
Ndër të tjera atij iu gjet një pistoletë me 13 fishekë, e cila më vonë u konstatua e vjedhur, një radio-transmetues dhe mjete të përdorura për të tentuar të hapte me forcë kontejnerin dhe të merrte ngarkesën.