Policia greke ka çmontuar një bandë grabitësish nga Shqipëria, të cilit kishin qenë nën vëzhgim prej gushtit të vitit 2022.
Ishin oficerët e Departamentit të Sigurisë së Tripolit, në bashkëpunim me institucionet e tjera ligjzbatuese që më 27 janar vunë në pranga në Korinth dhe Atikë katër anëtarë të bandës, të moshës 26 deri në 44 vjeç.
Organizata kriminale operonte në fushën e vjedhjeve, të pastrimit të parave, në trafikun e narkotikëve dhe në disa raste kishte dhunuar punonjës të drejtësisë dhe shtetas të huaj.
Plot 21 grabitje dyshohet të ketë kryer grupi në fjalë në të gjithë Greqinë, ku vetëm brenda 5 muajve besohet të kenë fituar të paktën 200 mijë euro.
Ata operonin në rajone të ndryshme të Greqisë si Arkadia, Korinthio, Argolis, Akaia, Aetoloakarnania, Fokida, Evrytania, Preveza, Arta, Trikalaja dhe Kardhica.
Dobësi për grabitësit ishin bizhuteritë, metalet e çmuara, paratë e gatshme dhe orët e shtrenjta “Rolex”.
Por diçka tjetër që ran ë sy të agjentëve të policisë që kryen arrestimet është se një prej anëtarëve kyç të grupit, është shoferi i tyre që banonte në Atika, i cili është me aftësi të kufizuara pasi ka vetëm një krah dhe një këmbë.
Ndërkohë, drejtuesi i organizatës jetonte në Stimaga, një fshat i largët rural i Korinthit, ku banditi shqiptar vepronte pa u vënë re, larg syve të policisë.