Lufta po vazhdon dhe do të vazhdojë për një kohë të gjatë, pa një rrugëdalje reale politike dhe diplomatike për asnjërën palë. Putin e ka bllokuar mundësinë e bisedimeve të paqes duke aneksuar pjesë të Zaporizhzhia dhe rajonit Kherson. Dhe duke qenë se e bëri këtë qëllimisht, do të thotë se nuk dëshiron negociata.
Me këtë, si dhe me sulmet me raketa ndaj civilëve, ai e ka bërë të papajtueshëm edhe qëndrimin e Ukrainës, e cila nuk do një zgjidhje të përkohshme apo një armëpushim të brishtë, por një humbje të qartë për Putinin. Ky është një ngërç i krijuar artificialisht nga Putini dhe nuk ka ende një rrugëdalje prej tij.
Anton Barbashin, kryeredaktor i portalit “Riddle Russia”:
Kjo luftë është një çështje e mbijetesës së shtetit ukrainas dhe regjimit të Putinit në Rusi. Përfundimi i luftës do të jetë vdekja e njërit prej të dyve. Duke pasur parasysh mbështetjen e madhe të publikut në Ukrainë për çlirimin pa asnjë kompromis të territorit ukrainas dhe mbështetjen financiare dhe ushtarake perëndimore, ka shumë pak gjasa që Kievi të pranojë t’i japë fund luftës pa arritur rivendosjen e integritetit territorial.
Teorikisht, çdo ndërprerje e mundshme e armiqësive do të ishte e përkohshme, dhe do të çonte në ripërtëritje të luftimeve derisa të ndodhë transformimi i brendshëm politik i Rusisë, i cili do të lejonte një zgjidhje afatgjatë të paqes. Lëshimet e pjesshme nga Kievi mund të përfshijnë konsensusin mbi strategji komplekse të ri-integrimin në lidhje me territoret e pushtuara nga Rusia që nga vitet 2014-2015.
Emma Ashford, anëtare e think-tankut “Stimson Center”, SHBA:
Mbi fatin e luftës në Ukrainë ekzistojnë 3 skenarë të mundshëm. Së pari ajo do të përfundojë me një zgjidhje të negociuar, dhe me disa lëshime territoriale nga Kievi. Së dyti Ukraina do të vazhdojë të sprapsë Rusinë derisa të rimarrë të gjithë territorin e saj, përfshirë Krimenë.
Dhe se treti lufta mund të arrijë një ngërç ushtarak, pa një zgjidhje diplomatike, e ngjashme me situatën aktuale në Gadishullin Korean. Por janë edhe 2 skenarë të tjerë. Së katërti Rusia mund të rifitojë iniciativën në fushën e betejës dhe të arrijë të rrëzojë qeverinë Zelensky. Së pesti, lufta zgjerohet në një përplasje më të gjerë SHBA-Europë-Rusi.
Këto dy të fundit nuk janë fare të pamundura, por duken relativisht të pabesueshme në rrethanat aktuale. Nga këto, skenari i parë më duket më i besueshmi. Shumica e luftërave përfundojnë në negociata të një lloji, pasi realitetet e fushëbetejës bëhen të qarta për të dyja palët.
Megjithëse Ukraina është paraqitur mirë deri më sot, ka të ngjarë të përballet me pengesa më të mëdha në të ardhmen. Sidomos rimarrja e Krimesë do të ishte shumë sfiduese në aspektin ushtarak dhe politik. Prandaj ka të ngjarë që lëshime territoriale nga Ukraina – për shembull duke pranuar që Krimeja të mbetet nën kontrollin e Rusisë – do të ishin pjesë e atij negocimi, ashtu siç do të ishin pjesë edhe lëshimet ruse për dëmshpërblimet apo çështje të tjera.
Nina Khrushcheva, profesore e çështjeve ndërkombëtare në “The New School”:
Të dyja vendet mendojnë se kanë dobësuar palën kundërshtare, ndaj nuk janë të gatshme të negociojnë. Për momentin, Ukraina nuk po humb sa duhet, dhe ka qenë në gjendje të rimarrë disa territore të pushtuara fillimisht nga Rusia. Kievi shpreson për suksese të tjera.
Ndërkohë Rusia nuk po fiton sa duhet, prandaj do të luftojë derisa të marrë të paktën Donbasin ose për aq kohë sa të jetë e mundur. Prandaj, as Moska nuk është gati të negociojë. Megjithatë, edhe nëse Ukraina bën më mirë dhe Rusia më keq, ky është në fund të fundit një ngërç dhe ata duhet të ulen të tavolinë.
Nëse Kremlini mund të bindet të kthejë atë që ka pushtuar dhe të premtojë se do të ndalojë pretendimet për qytetet dhe territoret e tjera të Ukrainës, Krimea do të mbetet me siguri një temë e nxehtë debati. Ajo do të lëshohet nga Kievit, vetëm nëse përfundon lufta. Unë nuk shoh një mënyrë sesi ndonjë lider rus mund të bindë shumicën e popullsisë që gadishulli të rikthehet nën kontrollin e Ukrainës.
Tatiana Stanovaya, studiuese në think-tankun “Carnegie Endowment for International Peace”:
Unë jam shumë e bindur se nuk ka shanse që Rusia dhe Ukraina të negociojnë ndonjë marrëveshje paqeje, e cila do të përfshinte lëshime territoriale ndaj Rusisë. Por ka dy paralajmërime. E para është koha. Të paktën edhe për 1 vit, as Ukraina dhe as Rusia nuk janë të gatshme të flasin për paqe.
Së dyti, janë ndryshimet e brendshme politike në Rusi. Sipas mendimit tim, vetëm kur Rusia të ndryshojë nga brenda dhe elitat atje ta kuptojnë se lufta duhet të ndërpritet, mund të shohim një gatishmëri në rritje për të biseduar me Ukrainën pa vendosur kushte joreale të kapitullimit.
Ne nuk e dimë se si dhe kur mund të ndryshojë Rusia. Por po vëmë re një zgjerim të fraksionit të “realistëve” edhe midis kampit më konservator pro-luftës, që po i kërkon Putinit ta “ngrijë” konfliktin. Po ashtu, ekziston një skenar në të cilin Ukraina bëhet më fleksibël dhe pranon të flasë për lëshime territoriale.
Por mua më duket shumë e pamundur, të paktën për 6 muajt e ardhshëm. Mund të ketë bisedime për armëpushim, por jo bisedime për përfundimin e luftës. Çelësi i këtij konflikti, janë ndryshimet e brendshme në Rusi. Ato mund të ndodhë brenda këtij vit por mund të kërkojnë disa vite.
Timothy Snyder, profesor i historisë dhe marrëdhënieve publike në Universitetin e Jeilit, SHBA:
Nuk mendoj se kjo është e mundur. Rusia ka aneksuar tashmë zyrtarisht (nga këndvështrimi i saj) provincat e pushtuar në Ukrainë. Nuk është e qartë nëse lëshim i këtyre provincave ose pjesëve të tyre do të ishte i mjaftueshëm për Moskën. Aq më tepër kur kjo e fundit e cilëson qeverinë ukrainase si të paligjshme dhe që sipas saj nuk ka fare të drejtë të sundojë asnjë territor.
Sipas Ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov, synimi i Rusisë në këtë luftë mbetet shkatërrimi i shtetit ukrainas dhe kontrolli i të gjithë territorit të tij. Po ashtu Moska e ka bërë të qartë se do të ulet në bisedime vetëm me Uashingtonin. Nga pala ukrainase, opinioni publik është shumë në favor të vazhdimit të luftës, derisa të rifitohet i gjithë territori i pushtuar, dhe qeveria në Kiev e ka pasur gjithnjë të qartë se ky është objektivi.
Ukrainasit janë të vetëdijshëm se njerëzit nën rajonet e kontrolluara nga rusët janë subjekt i dëbimeve, torturave dhe vrasjeve masive. Kjo e bën idenë e braktisjes së territorit të duket si një braktisje e tyre. Qëndrimi zyrtar i Ukrainës, është se negociatat e paqes fillojnë kur trupat ruse të largohen nga Ukraina.
Në një vend demokratik, dhe me një lider të zgjedhur që dëshiron të përfaqësojë popullin e tij, siç e bën qartë Zelensky, është e vështirë të heqësh dorë nga çdo lloj territori. Gjithsesi kjo është e pamundur tani për tani. Pasi kushtet aktuale në fushën e betejës favorizojnë Ukrainën.
Por edhe nëse Ukraina e humbet luftën, është e vështirë të shihet një skenar në të cilin territori do të lëshohet zyrtarisht. Synimi i Rusisë është të zëvendësojë qeverinë aktuale me një qeveri që do të negocionte, në kuptimin e nënshtrimit, por është e vështirë të shihet se si do t’i jepej fund luftës, pasi ukrainasit do të vazhdonin të luftonin.
Mendoj se çdo qeveri sovrane e Ukrainës do ta refuzonte parimin se agresioni ushtarak justifikon ndryshimin e kufijve të ligjshëm. Kjo luftë ka qenë një katastrofë strategjike për Rusinë, dhe sa më gjatë të vazhdojë, aq më keq është për të.
Mënyra më e shpejtë e përfundimit të kësaj lufte, është që Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë evropiane ta armatosin Ukrainën, në mënyrë që vazhdimi i luftës të duket e pakuptimtë nga Moska. Unë mendoj se lufta përfundon me fitoren e Ukrainës, në kuptimin që politika ruse do të heqë në fund dorë nga fantazia për të fituar në Ukrainë.
Jam i bindur se në rrethanat aktuale nuk do të kemi një zgjidhje të negociuar të konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës. Por shumë shpesh ajo që ndodh në një luftë është “diçka krejtësisht tjetër”, diçka që nuk e parashikoi askush. Nëse kjo luftë na ka kujtuar diçka, është se njerëzit që e konsiderojnë veten si ekspertë, duhet të jenë të përulur përballë paparashikueshmërisë së luftës dhe të respektojnë sakrificën e atyre që kërkojnë të mbrohen.
Marrë me shkurtime