Dy shqiptarë janë vënë në pranga në Spanjë, respektivisht në Madrid dhe Barcelonë, pasi rezultonin të shpallur në kërkim për tentativë vrasje ndaj anëtarëve të një bande rivale.
Policia spanjolle u hodh në veprim pasi u njoftua nga Interpoli në nëntor se dyshja e “gangsterëve” shqiptarë mund të ndodheshin në Spanjë, ndërsa ngjarja për të cilën akuzohën daton në vitin 2021.
Siç njofton policia spanjolle dy të arrestuarit akuzohen për veprat penale të armëmbajtjes, mbajtjes së lëndëve plasëse dhe pastrimit të parave.
Ndërkohë sipas hetimeve organizata kriminale e drejtuar nga dy të arrestuarit po përgatiste një sulm për të vrarë disa persona të përfshirë në ndërprerjen e veprimtarisë së tyre kriminale të trafikut të drogës me të cilën ishte angazhuar kjo organizatë.
Sakaq njëri prej të arrestuarve ishte i lidhur me zbulimin në Shqipëri të lëndëve plasëse të ndryshme të tipit C-4, pesë armë zjarri automatike, një armë zjarri me rreze të shkurtër së bashku me disa pajisje celulare dhe 88 990 euro cash.
Gjithashtu, ai po hetohej në Spanjë pasi i ishin gjetur tre armë zjarri, dy silenciatorë dhe disa gëzhoja, të gjitha të fshehura mes rrobave. Pas përpjekjeve të ndryshme, Interpoli e ka lokalizuar atë në Turqi dhe u arrestua në Barcelonë, sapo mbërriti në aeroportin “El Prat”.
Ndërkohë të arrestuarit në Madrid iu sekuestruan tre automatikë AK-47, dy armë gjysmë automatike, dy eksploziv të improvizuar, një armë zjarri me rreze të shkurtër dhe rreth 90 mijë euro në shtëpinë e tij në Shqipëri.
Veprimet e hetuesve bënë të mundur gjithashtu zbulimin e një vendbanimi tjetër të tij në Barcelonë, si dhe lidhjen e tij me aktivitete të ndryshme të paligjshme në Spanjë, përfshirë trafikun e drogës dhe falsifikimin e dokumenteve.