Banorët e Bërxullës përshkallëzuan sot protestën e tyre kundër shpronësimeve në kuadër të rrugës Thumanë-Kashar, duke u ngjitur në shtyllat e tensionit të lartë, nga ku kërcënuan me vetëflijim nëse nuk dëgjohet zëri i tyre. Një prej banorëve që ishte pjesë e protestës së sotme, Dritan Zeneli, shfaqi tension të lartë duke u transportuar drejt Urgjencës së QSUT-së. Kryeplaku i fshatit Muharrem Koni tha se pacientit i është dashur të presë pasi në Urgjencë ka pasur fluks dhe ka qenë vetëm një mjek roje.
“Për momentin gjendja është më e stabilizuar. Ishte një ambulancë që ishte aty për të parë gjendjen shëndetësore. Ishte me tension të lartë, 17 me 10. Ndërhyri mjeku dhe u nis në QSUT për mjekim të specializuar. Por ka qenë një fluks i madh në Urgjencë, dhe është vetëm një mjek roje dhe një infermier. Kanë ndërhyrë që në momentin e parë për uljen e tensionit. I kanë bërë edhe një EKG. Është në regjim shtrati, gjendja nuk është ende e stabilizuar e pacientit”, tha ai për mediat.
Koni paralajmëroi protesta edhe më të fuqishme në rast se institucionet nuk u japin përgjigje shqetësimeve të banorëve.
“Veprimi sot ishte si pasojë e neglizhencës së shtetit. Kemi mbi 105 ditë që protestojmë. Kemi protestuar në fshat, para Kryeministrisë, ministrisë së infrastrukturës, Parlamentit, ambasadës amerikane, duke i sensibiluzar pushtetarët të ulen në dialog me banorët. Po zhvillohet një projekt rruge pa asnjë lloj njoftimi paraprak, as konsultim publik, pa dakordësi. Nuk kemi marrë asnjë lloj përgjigje si do jetë shpronësimi jonë, as për pronat as për banesat. Për pronat thuhet se s’ka negocim sepse është VKM-ja. VKM-ja është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, ndërkohë që këta nuk i plotësojnë nenet. Firma s’ka bërë aplikim për leje ndërtimi dhe s’ka vendim shpronësimi. Nuk do ndalojmë, protestat do jenë edhe më të fuqishme, edhe më të forta”, u shpreh.