Është publikuar edhe video nga momenti kur policia angleze kryen operacionin në një banesë në Sheffield, ku edhe vendosi në pranga Andi Alushin dhe Valdemaras Kasinskas.
Në video shihet momenti kur policia nxjerr nga banesa gjysmë të zhveshur shqiptarin Andi Alushi, ndërsa gjithë kohës dëgjohet teksa i bërtasin 27-vjeçarit shqiptar që të ulet: Në gjunjë, në gjunjë! Videoja është xhiruar në maj, kur edhe ndodhi arrestimi.
Si shqiptari, ashtu edhe lituaneze kishin marrë peng dhe kishin dhunuar dy shqiptarë të identifikuar vetëm me iniciale: E. R. dhe O. L. I kishin rrahur, djegur dhe i detyronin që të hanin nga tasat e qenve. Videot ua dërgonin familjarëve në Shqipëri me shumë gjasë për të marrë para.
Alushi dhe Kasinskas janë anëtarë të një bande, dhe u dënuan dje nga Gjykata britanike me 19 vite e e 6 muaj burg pasi akuzohen për vepra penale “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për prishjen e pazareve të drogës në “shtëpitë e barit”. Për çështjen, një njoftim dha edhe Prokuroria e Posaçme, më herët gjatë ditës.
SPAK njofton se gjatë muajit gusht 2022 është krijuar një Skuadër e Përbashkët Hetimore për hetimin e këtyre çështjeve. Pjesë e Skuadrës së Përbashkët hetimore nga Mbretëria e Bashkuar janë Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës dhe Shërbimi i Policisë së Yorkshire të Jugut, ndërsa nga Shqipëria janë Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Byroja Kombëtare e Hetimit, si dhe oficerë të shërbimit të policisë gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Gjatë muajit shtator 2022 pjesëtarë të Skuadrës së Përbashkët Hetimore nga Shërbimi i Policisë së Yorkshire të Jugut kanë ardhur në Shqipëri, ku në bashkëpunim me hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Oficerë të shërbimit të policisë gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorit të çështjes në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kanë kryer veprime të shumta hetimore, në kuadër të hetimeve paralele që po zhvilloheshin si në Mbretërinë e Bashkuar, ashtu dhe në Shqipëri.
Në vazhdim të hetimeve të përbashkëta në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore, nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuara, janë dërguar në gjykim të pandehurit Andi Alushi dhe Valdemaras Kasinskas. Pas deklarimit fajtor nga Gjykata e Kurorës në Shefielld, të pandehurit Andi Alushi dhe Valdemaras Kasinkas, më datë 03 janar 2023 janë dënuar për veprat penale të kryera prej tyre me nga 19 vjet e 6 muaj burgim.
Spak njofton se në bashkëpunim me autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar hetimet vazhdojnë për zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.