Sot mbushen 82 vjet nga ndarja nga jeta e autorit të “Lahutës së Malcisë”, At Gjergj Fishta. Shkrimtari i madh shqiptar vdiq më 30 dhjetor 1940 në spitalin civil të Shkodrës.
- Komunistët i shkatërruan varrin dhe ia zhdukën eshtrat Gjergj Fishtës:
Një ndër armiqtë kryesor të ideologjisë komuniste, ndonëse i vdekur, ishte At Gjergj Fishta. Poezia e tij me karakter të qartë atdhedashës, ndërtuar mbi themelet e parimit të lirisë, nuk mund të mos binte ndesh me rregjimin gjakatar e lirimohues të vendosur nga komunistët.
Kështu, disa vjet pasi kishin ardhur në pushtet, në ndjekje të vijës së re ideologjike për krijimin e një shteti ateist, komunistët mësynë Kuvendin Françeskan të G’juhadolit. Në anën e majtë të hyrjes kryesore për në Kishë, nën një pllakë mermeri, ishte varrosur poeti i madh Atë Gjergj Fishta. Ato e thyen pllakën dhe nga koka e arkëmortit ku pushonte poeti, hoqën një kryq të vendosur aty sipas amanetit të poetit “Nji kryq druni t’kjosha true/ nxiere e venma përmbi krye” natën e fundit të vitit 1940, kur poeti u varros.
Sipas dëshmisë së një komunisti që ishte pjesë e asaj furie, vendosur e pacituar në veprën “Françeskanët e Mëdhaj” të Atë Zef Pllumit, arkëmorti u thye dhe nga aty u nxor trupi i poetit i cili u mbyll në një thes, u ngarkua në një kamionçinë dhe u lëshua në pjesën më të rrëmbyeshme të lumit Drin.
Kështu, At Gjergji mbeti pa varr, por asnjëherë nuk u harrua. Ndër vatrat e ngrohta të mbrëmjeve të ftohta, kryesisht në krahinën e Zadrimës, recitohej herë nën zë e herë me zë të plotë “Lahuta e Malcis”, e kjo dëshmohet fare mirë edhe sot: Një pjesë e mirë e të moshuarve që jetojnë aty dinë përmendësh me mijëra vargje nga kjo kryevepër.
Arsyet përse komunistët nuk e deshën Atë Fishtën janë të shumta. Në atë kohë, ato e cilësuan atë si një poet anti-kombëtar, ndërsa tani mendohet se “Lahuta e Malcis” ishte vepra më anti-sllave e shkruar ndonjëherë, prandaj, ishte një kusht i vendosur nga krijuesit sllavë të Partisë Komuniste, ndalimi i tij.
- Jeta e Gjergj Fishtës:
Gjergj Fishta u lind në Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Fillimisht punoi si bari, por shumë shpejt, kur ishte 6 vjeç, zgjuarsia e tij i bie në sy famullitarit të fshatit, i cili e dërgoi në Seminarin Françeskan të Shkodrës.
Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon mësimet në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë, afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe “Ushtrimet e para poetike”. Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm.
Gjergj Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim Nobel, prozator, poet, përkthyes; “Militant i letërsisë shqipe” – cilësuar nga Lasgush Poradeci dhe “Poet kombëtar i shqiptarëve” nga Eqrem Çabej.Poezinë e parë Fishta e botoi në “Albania”, më 1899, me pseudonimin e popullit. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila përveçse në librat, u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vite të jetës, ku ai përdori 24 pseudonime.
Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj epikës. “Lahutës së Malësisë”, veprës së jetës, ai i kushtoi 40 vjet punë. Ndërsa, vepra tjetër epike “Moisi Golemi dhe Deli Cena” u botua jo plotësisht në shtypin periodik. Tonet e madhërishme heroike, burimësia e papërsëritshme e përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve dhe rrethanave kanë bërë që Fishta si epik të quhej “Homer i Shqipërisë”.
Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit, mendimi i fuqishëm filozofik, dramaciteti i veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten. Fishta arriti të botojë këngët e para të “Lahuta e Malcisë”, kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Tre vjet më vonë botoi përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit” dhe më 1909 përmbledhjen lirike “Pika veset”, më 1913 boton “Mrizi i Zanave”.
Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931, Greqia i jep dekoratën “Foenix “. Më 1939, Italia e bën anëtar të Akademisë së saj. Në tetor 1913 botoi revistën “Hylli i dritës”, ndërsa më 23 tetor 1913 shpalosi flamurin kombëtar në kishën e Shkodrës, duke e lidhur atë me drita me xhaminë, për të treguar unitetin mes shqiptarëve. Gjergj Fishta mori shumë medalje të ndryshme nga populli i Shkodrës, i Beratit, mbreti i Austrisë, nga Greqia dhe Turqia. Vetëm pas viteve ’90-të, krijimtaria e Fishtës zuri vendin e merituar në letërsinë dhe në kulturën tonë kombëtare.
Deri më 1899 Fishta shkruante me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të 1899 ai u bë bashkëthemelues dhe pjesëtar aktiv i shoqërisë “Bashkimi”, të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe. Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, deri atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë ai instaloi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Shpejt Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”.
U zgjodh kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit. Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ai e priti me entuziazëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare.Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publicistike, që boton në revistën “Hylli i dritës”, revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor të 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën “Posta e Shypnisë” (1916-1917) dhe më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, “Komisinë letrare” që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.
Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual, dhe politikan atdhetar. Nga fillimi i prillit të 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar, zgjidhet nënkryetar, ku kreu veprimtari të denduara politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit më 1924.
Përndiqet pas rikthimit të Zogut në Shqipëri dhe vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali, ku ndërkohë krijon, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, tragjedive, etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i “Lahutës së Malësisë” në vitin 1937.