Edhe pse më e qetë në krahasim me 24 orët e kaluara, situata në Veri të Kosovës mbetet e tensionuar dhe problematike.
Barrikadat dhe serbët e maskuar që i ruajnë ato akoma vazhdojnë të qëndrojnë të stacionuara në Rudarë, Leposaviq e zona të tjera.
Por, ajo çka ka rënë në sy sot në Veri, është shfaqja e simbolit “Z”, të cilin mjetet ushtarake të Rusisë kanë pasur të shkruar gjatë intervenimit me synimin për të pushtuar Ukrainën dhe që më pas u pikturua në mure, në çdo zonë ku mësynte ushtria e Vladimir Putin.
Sipas “Nacionale” që ka siguruar pamje nga veriu i vendit, në Rudarë të Zveçanit është parë simboli “Z”, i cili është përdorur dhe karakterizon agresionin rus në Ukrainë.
Ky simbol është bërë në një prej objekteve në zonë. Shkronja “Z” ishte bërë një simbol që shënon mbështetje për pushtimin barbar rus të Ukrainës, njëlloj siç ishte svastika e nazistëve.














