Nga Prof. Dr. Zana Shuteriqi Prela, Profesoreshë në Universitetin e Arteve
Para pak vitesh, kur Franci ishte ende në fillimet e tij, i pata sugjeruar që, brenda natyrës së tij artistike, të gjente hapësira të reja, mundësisht drejt zgjerimit të këngës. Tani që dëgjoj albumin e tij të dytë, mendoj se isha treguar paksa e nxituar. Franci u rrit vetvetiu si kantautor dhe si një zë i veçantë në panoramën e këngës së sotme shqiptare duke tejshkuar nga meloditë e thjeshta mbi akordet e kitarës, drejt krijimeve domethënëse për mesazhet e tyre.
Do të ishte i pasaktë çdo lloj përcaktimit i tipit të këngës që Franci shkruan. Thjesht muzika që ai bën përfshihet brenda pop-it. Ai është një kantautor tipik, për këngën e të cilit nuk mund të flitet mbi përparësinë e muzikës ndaj fjalës apo e anasjellta. Madje, unë mendoj që Franci mund të bëjë pjesë midis atyre pak muzikantëve tanë të sotëm, që këngën e koncepton si një sintoni të pandarë midis tekstit e muzikës. Dhe kjo nuk është e vështirë të konstatohet. Zakonisht ritmi i tij është në sinkron me fjalën, melodia gjithashtu me deklamacionin e saj, madje, me raste, edhe me seksione thjesht të folura, kur pesha e fjalës kërkon nënvizimin e saj.
Albumi i tij përmban titullin domethënës “Ky modernizim”. Të njëmbëdhjetë këngët, ndër të cilat dhjetë të reja (kënga nr. 11 “E morën botën” është publikuar dy vite më parë ne edicionin e 59 të këngës në RTSH), janë një refleksion mbi jetën në shoqërinë e sotme të epokës së teknologjisë. Të gjitha lirikat, kryesisht të dashurisë, ngërthehen brenda këtij konteksti, duke i dhënë albumit karakteristikën e një cikli të unifikuar.
Në këto reflektime nuk mungojnë as përqendrimet disi më filozofike mbi jetën dhe dashurinë, as notat e lehta ironizuese, madje edhe kur bëhet fjalë për fenomene më shqetësuese (emigracioni, për shembull). Për të gjitha këto, Franc Korunin do ta vlerësoja si një këngëtar urban, një vëzhgues dhe reflektues të vëmendshëm të luhatjeve të jetës dhe shpirtit njerëzor.
Por po kaq të unifikuara këngët paraqiten edhe në stilistikën e tyre. Franci është një autor që ruan me seriozitet profilin e tij muzikor, përtej çdo lloj ngacmimi që mund të sjellë terreni i sotëm i këngës shqiptare, shpesh herë i mbarsur me rëndomësi apo i mbingopur prej komercializmit. Duke i shpërfillur të gjitha këto, Franci mbetet vetvetja, çka do ta gjykoja si cilësinë më të mirë të muzikës së tij. Në këtë drejtim, ai duket se mbështetet te disa prej kantautorëve të njohur italianë si për shembull Francesco de Gregori (përmes tij edhe me frymëzime nga Bob Dylan). Këtë ndikim italian Franci duket se e ruan si shenjë të formimit të identitetit të tij; në dy prej këngëve të albumit, “Amare non so” dhe “Amore je ti” teksti është shkruar ose i tëri në italisht (në rastin e parë) ose pjesërisht në atë gjuhë (rasti i dytë). Në të dy rastet Franci ka sjellë në album bashkëpunime me këngëtarë të tjerë, përkatësisht me kantautorin zviceran Marco Zappa dhe me Mariza Ikonomin. Këto, megjithatë, nuk janë duete të thjeshta, por gjetje të duhura për një përafri me modelet e shfrytëzuara.
Në realizimin e suksesshëm të albumit “Ky modernizim” të Franc Korunit, përfshihet kontributi i vyer i muzikantit Shpëtim Saraçi si orkestrator dhe masterizimi shumë cilësor i kryer nga studio e njohur Equus Studio në Belgjikë.