Policia e Kosovës ka njoftuar se pasditen e kësaj të marte janë regjistruar disa incidente në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës së Veriut, por deri në këto momente nuk është raportuar për të lënduar.
Në sqarimin e policisë thuhet se dyshohet për shkrepje armësh e shpërthime dhe gjithashtu bëhet e ditur se protestuesit kanë hedhur në erë zyrat e komisionit komunal zgjedhor.
Sipas komunikatës për media, këto incidente kanë ndodhur pasi njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok dhe veriun e Mitrovicës me qëllim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore.
“Policia e Kosovës njofton opinionin publik në lidhje me zhvillimet e sigurisë në veri të vendit se, sot më datë 6 dhjetor 2022, në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë Veri, Njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qellim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore”, thuhet në njoftim.
Katër komunat në veri – Zubin Potoku, Mitrovica e Veriut, Zveçani dhe Leposaviqi – janë pa kryetarë qysh në fillim të nëntorit, kur ata kanë dhënë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur më pas 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve në Zubin Potok, Mitrovicë të Veriut, Zveçan dhe Leposaviq.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar – i kundërshton këto zgjedhje.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për, siç tha, “terror” ndaj serbëve.
Në një postim në Twitter, ai publikoi disa fotografi ku, siç tha, duken ambientet e Komisionit Komunal Zgjedhor na Mitrovicë të Veriut, “të shkatërruara nga forcat speciale” të Kosovës.
REL nuk e konfirmoi në mënyrë të pavarur vërtetësinë e atyre fotografive.
Përmes një komunikate për media, të publikuar më herët, Petkoviq tha se qëllim i Kurtit është që “me dhunë dhe me armë t’i rrëmbejë katër komunat në veri” dhe “në to të instalojë përfaqësues shqiptarë, përmes zgjedhjeve jolegale dhe jolegjitime”.
“Të gjithën e ka kurdisur dhe ia ka bërë regjinë Albin Kurti, derisa në Tiranë po mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor”, tha Petkoviq.
Komunikata e plotë e policisë së Kosovës:
Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore, në vazhdimësi po angazhohet në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore komfor situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në Veri të Mitrovicës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit, duke u bazuar edhe në bashkëpunimin ndërinstitucional i ka bërë kërkesë Policisë së Kosovës për asistencë rreth përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në komunat në veri të vendit.
Me këtë rast, Policia e Kosovës njofton opinionin publik në lidhje me zhvillimet e sigurisë në veri të vendit se, sot më datë 6 dhjetor 2022, në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë Veri, Njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qellim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore.
Në orët e para të pasdites së sotme, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës Veri janë regjistruar disa incidente (dyshohet shkrepje armësh e shpërthime), por deri në këto momente nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, përderisa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor.
Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë dhe vlerëson situatën e sigurisë në vend dhe ndërmerr masa të nevojshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës.