Sokol Halili, i cili vrau ish-bashkëshorten e tij shtatzënë në dyert e QKUK-së në Prishtinë, ka kryer vetëvrasje.
Pas më shumë se 40 orëve kërkime për ta gjetur nga ana e policisë, ishte vetë ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla që njoftoi publikun se autori i vrasjes së 35-vjeçares Hamide Magashi ka vrarë veten.
Sveçla ka deklaruar se përkundër negocimit me forcat e rendit, Halili ka refuzuar të dorëzohet dhe ka vrarë veten.
Ai pohoi se Policia e Kosovës si dhe Inspektoriati Policor i Kosovës do të vazhdojnë hetimet për zbulimin e të gjitha rrethanave të vrasjes së gruas shtatzënë.
“Pas një pune intensive të të gjitha njësiteve të Policisë së Kosovës është arritur që të lokalizohet vendndodhja e vrasësit Sokol Halili. Përkundër tentativës së zyrtarëve policor që të negociojnë dorëzimin, dorasi vret veten. Policia e Kosovës si dhe Inspektoriati Policor i Kosovës do të vazhdojnë hetimet për zbulimin e të gjitha rrethanave të vrasjes së gruas shtatzënë dhe vetëvrasjes së dorasit”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Sa i përket Halilit, ai është banor i Komunës së Shtimes. Ai ishte raportuar nga gruaja e tij Hamide Magashi më 6 korrik të këtij viti për dhunë në familje, teksa ajo kishte refuzuar të kthehej në shtëpinë e burrit dhe qëndronte te një familjare e saj në Lipjan dhe ishte në ditët e fundit të shtatzënisë.
Pritja e një fëmije nga raporti me të, nuk e ndali aspak Halilin që në orët e mbrëmjes së 30 nëntorit në oborrin e QKUK-së, më saktësisht para Klinikës së Gjinekologjisë ta qëllonte tre herë me armë zjarri 35-vjeçaren.