Dy organizata mjedisore lokale, të mbështetura edhe nga fondacioni ndërkombëtar EuroNatur, njoftuan të mërkurën se po dorëzonin në Gjykatën Administrative një padi kundër parregullsive dhe shkeljeve ligjore në projektin e Aeroportit të Vlorës.
Sipas njoftimit për shtyp të shpërndarë nga EuroNatur, projekti i qeverisë po sfidohet në gjykatë nga organizatat “Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, PPNEA dhe Shoqëria Ornitologjike Shqiptare, AOS.
Projekti i qeverisë shqiptare për ndërtimin e aeroportit të Vlorës në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës është kundërshtuar që në fillim nga organizatat mjedisore, të cilat e konsiderojnë atë si një ndër ekosistemet më të rëndësishme në Shqipëri dhe pjesë të rrugës së migrimit të Adriatikut, e cila pret më shumë se 220 lloje shpendësh.
Organizatat kritikuan qeverinë se po i çonte përpara planet për ndërtimin e aeroportit, pavarësisht shkeljes së ligjeve kombëtare dhe konventave ndërkombëtare dhe paralajmëruan se do të dorëzonin në gjykatë fakte dhe prova lidhur me nisjen ilegale të punimeve dhe shkeljen e procedurave të tjera.
“Duke ndërtuar një aeroport në një peizazh të mbrojtur, qeveria shqiptare po anashkalon sundimin e ligjit në dëm të natyrës dhe në favor të interesave të përveçme. Procese të tilla duhet të frymëzojnë mosbesim në Bashkimin Europian,” tha Annette Spangenberg, shefe e Konservimit në EuroNatur.
Aeroporti i Vlorës është një premtim elektoral i kryeministrit Edi Rama që pritet t’u kushtojë taksapaguesve shqiptarë rreth 138 milionë euro. Në mars të vitit 2021, tenderi i hapur u fitua nga kompania Mabetex e biznesmenit dhe politikanit Behgjet Pacolli si dhe kompania turke YDA.
Padia në Gjykatën Administrative vjen pas një sërë hapash të ndërmarra nga organizatat mjedisore për ndalimin e këtij projekti, përfshirë letrat e hapura publike, manifestimet apo oponencën e raporteve mjedisore.
“Ne kemi ngritur shqetësimet rreth aeroportit të Vlorës që kur u zbuluan për publikun planet e para për vendndodhjen e tij. Është e paimagjinueshme që një infrastrukturë kaq e madhe të ndërtohet brenda një zone të mbrojtur, qëllimi i së cilës është të ndalojë realisht projekte si kjo,” deklaroi drejtori ekzekutiv i PPNEA, Aleksandër Trajçe.
Ndërsa kreu i AOS, Taulant Bino deklaroi se çuarja më tej e këtij plani mund të cënojë integrimin në BE.
“Duket e paimagjinueshme që Shqipëria të njollosë kontributin e saj në trashëgiminë natyrore kombëtare dhe ndërkombëtare, duke ndërtuar një aeroport që shkatërron biodiversitetin e zonës së mbrojtur Vjose-Nartë dhe ligatina të tjera të rëndësishme të Adriatikut,” tha Bino.
/Reporter.al/