Media publike italiane “Rai” i ka kushtuar një kronikë televizive çështjes së Parkut Kombëtar të Butrintit.
“Rai” raporton se në Shqipëri ambientalistë dhe opozita janë bërë barrikadë kundër vendimit të qeverisë për t’i besuar menaxhimin e parkut arkeologjik një fondacioni miks.
“Ekstremi jugor i Shqipërisë është zona turistike më e zhvilluar e vendit. Plazhet e bardha të Sarandës dhe Ksamilit që sfumojnë në ujërat e kaltra të Jonit dhe mbi të gjitha Parku Kombëtar i Butrintit, i deklaruar trashëgimi e UNESCOS në 1992. Një vend i mrekullueshëm i vendosur përballë ngushticës së Korfuzit, një park që përmban thesare të mëdha arkeologjike dhe thesare natyrale me një shumëllojshmëri kafshësh dhe bimësh, aq shumë sa në vitin 2003 zona u kualifikua si zonë Ligatinore Ramsari me rëndësi ndërkombëtare. E gjitha kjo mund të vihet në rrezik nga vendimi i qeverisë së Edi Ramës për t’i besuar menaxhimin e parkut Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, vendim i kundërshtuar nga partitë e opozitës që e kanë ankimuar në Gjykatën Kushtetuese shqiptare”, raporton gazetari Gianni Giampietro në kronikë, teksa më tej flet me ish-drejtorin e parkut Auron Tare.
“Problemi me Butrintin tani ka të bëjë mbi të gjitha me menaxhimin. Parlamenti ka miratuar një ligj që i beson drejtimin e parkut një fondacioni privat të huaj. Parku i Butrintit është më i madhi dhe më i rëndësishmi i vendit dhe kjo është një pikë që shumë arkeologë dhe studiues shqiptarë nuk mund ta pranojnë”, deklaron Tare.
Ka një tjetër problem, një pjesë e parkut do të përjashtohet nga mbrojtja?
“Është një vendim i marrë nga qeveria në janar të këtij viti, ai për të përjashtuar 800 hektarë të parkut nga zona e mbrojtur. Kjo është arsyeja që unë kam punuar për vite si drejtor i parkut për ta mbrojtur nga spekulimi dhe nga zhvillimi i fshatrave turistikë. Kurse tani ndërkohë dy fshatra do të realizohen në zonën që nuk i nënshtrohet më mbrojtjes”, thotë Tare.
Më tej, në raportim thuhet se: zona e mbrojtur si trashëgimi e UNESCO-s është rreth 2900 hektarë dhe është e rrethuar nga një zonë jastëk më e gjerë, ndërsa i gjithë parku është i shtrirë në 9 mijë hektarë. Në Ksamil, në gjirin e Manastirit janë parashikuar investime, fshatra turistikë për plot 28 milionë euro, thotë ai.
“Ne nuk shohim vlera as arkeologjike as të trashëgimisë kulturore mbi një shtresë të pushtuar tashmë të territorit siç ka ndodhur me rastin Ksamilit që është një zonë totalisht e urbanizuar që për fat të keq në vitet e para pas diktaturës me një pushtim ndërtesash pa asnjë leje për t’u ndërtuar”, tha ministrja e Kulturës Elva Margariti.
Disa ambientalistë kundërshtojnë dhënien e drejtimit të Parkut Arkeologjik të Butrintit një fondacioni privat, Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për zhvillimin?
“Nuk është një entitet privat, është një fondacion që është themeluar nga Ministria e Kulturës, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan është një nga partnerët. Tani jemi në thirrjen e hapur ndërkombëtare për drejtorin e ri të parkut. Kemi një numër shumë të lartë pjesëmarrësish dhe jam e lumtur, sepse do të thotë në një farë mënyre që Butrinti me këtë lëvizje të re ka dalë më në dritë, është bërë më i dukshëm në gjithë arenën ndërkombëtare”, tha ajo.