Kombëtarja kuqezi do të zhvillojë nesër një ndeshje miqësore me Italinë në stadiumin “Air Albania”. Në prag të sfidës, trajneri i kombëtares Edy Reja ka dalë në një konferencë për mediat. Ai komentoi rëndësinë e ndeshjes dhe zbuloi pritshmëritë nga skuadra kuqezi.
“Për ne është e rëndësishme që të tregojmë se kjo skuadër po rritet. Ky është një test mjaft i rëndësishëm se do të na japë vlerën e kësaj skuadre. Unë uroj që të bëjmë një hap para në krahasim me ndeshjet e fundit. Më vjen keq për shumë lojtarë që nuk na i lanë klubet, se mund të kishim ekip më konkurrues, por kam të rinj që kanë luajtur në këtë periudhë dhe mund të luajnë. Janë shumë të rinj, janë të 2001-2002, kam një ekip të ri që ka bërë mirë në këtë periudhë. Do të kenë mundësi e do të bëjnë më mirë, mua nuk më intereson shumë rezultati, por paraqitja. Rezultatet janë bërë nga episodet dhe uroj që episodet ndonjëherë të sillen në anën tonë.
Moduli është ai që është, se na ka dhënë më shumë siguri e garanci. Pastaj mund ta modifikojmë gjatë ndeshjes. Kemi lojtarë që mund ta ndërrojmë në ndeshje e sipër, por duke folur me lojtarët, më thonë që ndjehen të sigurt. Pastaj nuk ka pse ta ndërrojmë ndaj Italisë. Ka shumë risi, emrat e rinj nuk janë, mungojnë Cikalleshi e Balaj, që janë lojtarë që na kanë sjellë deri këtu edhe sa i përket rendimentit. Gjimshiti që më shërbente duke njohur vlerën e italisë në sulm, me eksperiencë ndërkombëtare. Më mungojnë disa, por ata që do të zbresin në fushë do të japin 100% dhe kam besim total.
Meqë këtu diskutojnë skemën 3-5-2, unë e kam bërë te Napoli rreth 15 vite më parë. Tani e bën Konte e Mançini dhe këto janë inovatorët. Kur e bëja unë thoshin që nuk funksionon. Ai modul më ka mundësuar që të shkoj larg. Edhe Mançini ka arritur të ndryshojë me të, i dha ekuilibër skuadrës që nuk e kishte më parë. Ka bërë disa paraqitje të shkëlqyera e ka gjetur ekuilibër. Edhe ne kemi gjetur, por pastaj janë paraqitje që disa herë kanë qenë mirë e disa keq, duhet pranuar. Por ky është moduli që na ka dhënë sodisfaksione këtu në Shqipëri.
Broja? Një lojtar që ka disa cilësi, por është herët për ta thënë. Ne flasim në mënyrë të veçantë, kur dikush bën 2-3 ndeshje bëhet fenomen. Ne duhet të vlerësojmë në kohë, ai ka potencialin, por duhet parë se ka shumë komponentë. Nuk bëhet lojtar menjëherë. Ju kujtohet Tonali, kur luante te Breshia ishte i jashtëzakonshëm. Një vit te Milani kaloi shumë vështirësi, duhet një kalim i ndërmjetëm eksperiencë. Jo menjëherë lojtari bëhet fenomen, duhet kohë. Kur shkon në klube të mëdha, kur mbërrin nga ekipi i vogël, kur mbërrin aty dhe kritika është e menjëhershme dhe duhet të kesh forcë. Një i ri edhe mund të digjet përfundimisht se nuk është e lehtë”, tha Reja.
Bajrami dhe Asllani bashkë? Në ndeshjen e fundit në shtëpi me Izraelin ishte Bajrami dhe Asllani. Nëse kanë luajtur mirë, mendoj se mund të luajnë, pse jo. Mund të luajnë bashkë, janë lojtarë që kanë nevojë për disa ekuilibra rrotull. Bajrami është trekuartist, Asllani është organizator nga poshtë, por kanë nevojë për lojtarë rrotull që ta mbrojnë.
Shqipërinë e njoh, por mbetem italian gjithmonë,. Kur Italia nuk luan me Shqipërinë bëj tifo për të, por nesër sigurisht nuk mund të bëj tifo. Dëshira ime është të bëj një rezultat, të bëja 3-3 apo 4-4 do të ishte e jashtëzakonshme se do të kishte gola. (Qesh) Berisha nuk është i lumtur, por është festë. Kur presidenti më tha ‘Shih se kemi Italinë’, isha shumë i lumtur. Nuk e prisja një miqësore më të mirë se kaq. Pastaj në këtë moshë të luaj ndaj Italisë, edhe pse në miqësore, jam mjaft i emocionuar. Nesër kur të dëgjoj himnin e Italisë dhe Shqipërisë, qartësisht më vjen të mendoj se do të emocionohem padyshim.
A rrezikojmë turpërimin? Shpresoj që jo. Ndonjë lojtar ka ardhur dje, të përgatitësh një ndeshje të tillë në dy ditë është e vështirë. Pastaj edhe të tjerë që nuk ishin pjesë e ekipit të parë, do të kenë mundësi të tregojnë vlerat. Nëse janë këtu është se mendoj se janë për kombëtaren. Shpresoj të dalë një ndeshje e mirë, do të më pëlqente të shihja rritje. Kur luan me një ekip me kaq shumë vlera, nëse tregon se je konkurrues, është stimul dhe kënaqësi. Unë pres vetëm këtë nga ndeshja, përtej rezultatit. Vlen edhe ai, por nesër vlen të bëhet një paraqitje në lartësinë e duhur.
Të luash ndaj Italisë nuk është e lehtë, ka lojtarë fizike e teknik me shpejtësi ekzekutimi që do të dëshiroja të mbërrinim. Është një ndeshje që mund të na japë sinjale të rëndësishme, një ndeshje që më pëlqen të përballemi, të shohim ku jemi. Do të më kishte pëlqyer të kisha të gjithë ekipin e kompletuar, por uroj që të bëjnë paraqitjen e duhur.