Legjenda e futbollit argjentinas, Diego Armando Maradona ka pranuar se “i është pikëlluar shpirti”, kur pa t’i dorëzohej Cristiano Ronaldos trofeu i “Lojtarit më të mirë të vitit” nga FIFA, në vend që t’i jepej bashkëkombasit të tij Lionel Mess.
Ylli i Realit të Madridit, Ronaldo e fitoi për të dytin vit radhazi këtë trofe, mbrëmjen e së hënës, duke mposhtur rivalitetin e “pleshtit” të Barcelonës, Lionel Messi, dhe brazilianit të PSG-së, Neymar.
Maradona dhe ish-sulmuesi i Brazilit, “Fenomeni” i vërtetë Ronaldo, ishin ata që ia dorëzuan trofeun portugezit Ronaldo, në ceremoninë e zhvilluar mbrëmë në Londër.
“Fakti që më duhej t’ia jepja këtë çmim Ronaldos, në pamundësi për t’ia dorëzuar Messit, më vrau shpirtërisht”, tha Maradona për “TyC Sports”.
Maradona, i cili e kishte nën urdhrat e tij yllin argjentinas teksa drejtoi Kombëtaren “albiceleste” në vitet 2008-2010, mohoi më pas raportimet se marrëdhëniet e tij me yllin katalanas ishin përkeqësuar.
Messi është kritikuar në të kaluarën nga shumë opinionistë apo edhe ish-futbollistë, përfshi Maradonën, se i mungonte “personaliteti për të qenë një udhëheqës” në momentin që mbi shpinën e tij mbante veshur fanellën e Argjentinës.
Argjentina, nën epokën e Messit ka humbur 3 finale radhazi në kompeticionet më të rëndësishme në po kaq vite: finalen e Botërorit 2014 me Gjermaninë, finalen e Kupës së Amerikës 2015 me Kilin, si dhe finalen e Kupës së Amerikës me rastin e 100-vjetorit (në vitin 2016), gjithashtu ndaj Kilit.
Maradona, i cili udhëhoqi Argjentinën si kapiten në fitimin e Botërorit të vitit 1986, ishte zhgënjyer që Messi nuk e kishte ftuar në dasmën e tij gjatë verës, duke shtuar spekulimet se mes tyre gjërat nuk shkonin mirë. Megjithatë, ish-heroi i Napolit gjithashtu, u pa tejet i afërt me Messin gjatë ceremonisë së të hënës mbrëma.
“Takimi me Messin ishte i shkëlqyer, – tha Maradona. – Fola me të, e besoj se të gjithë e patë që ishte e njëjta miqësi dhe afeksion si kurdoherë më parë”.