Në 2 tetor të vitit 2020, Muhamed Alabbar dhe kryeministri bjellorus Roman Golovchenko shtrënguan duart në ceremoninë e përurimit të një projekti gjigand në Minsk. I pagëzuar me emrin “North Shore”, projekti me vlerë 4 miliardë euro parashikon zhvillimin e pjesës veriore të kryeqytetit Bjellorus, i konceptuar si një qytet brenda qytetit me apartamente, qëndra tregtare, ekspozita, hotele dhe universitete.
Në podiumin, ku Alabbar dhe Golovchenko prenë shiritin e përurimit, ishte vendosur dhe një tabelë. Në të shkruhej; “Kjo tabelë është vendosur nga Shkëlqesia e Tij Roman Golovchenko, kryeministër i Republikës së Bjellorusisë dhe Shkelqesia e Tij Muhamed Alabbar, kryetar i bordit të “Emirates Blue Sky LLC” me rastin themelimit të Qendrës Kombëtare të Ekspozitave.”
Emirates Blu Sky LLC zotërohet nga një guackë e regjistruar në Qipro me emrin Dana Holdings. Vetëm dy muaj pasi Alabbar dhe Golovochenko shtrënguan duart në foton e përurimit, Dana Holdings do të vendosej në sanksione nga Bashkimi Europian si përfituese dhe mbështetëse e regjimit të Lukashenkos.
Perandoria Karic
E themeluar në shtator të vitit 2008 në Bjellorusi, Emirates Blue Sky LLC, gjatë këtyre viteve e ka ndryshuar disa here emrin. Por ajo që nuk ka ndryshuar asnjeherë janë pronarët që qëndrojnë pas saj. Ata janë vëllezërit Karic, një nga familjet më të fuqishme në Serbi.
Sreten, Dragomir, Zoran dhe Bogoljub Kariç janë katër vëllezër që u lindën nga një familje serbe në qytetin e Pejës në Kosovë. Ata u bënë të njohur në fillim të viteve 90’ si sponsorat dhe mbështetësit më të mëdhenj të regjimit të Sllobodan Miloshevicit. Pjesë e qarkut të ngushtë të familjes Miloshevic deri edhe ministra në qeverinë e tij, karriera e vëllezërve Kariç në biznes dhe politikë do të vazhdonte edhe pas rënies së regjimit.
Në vitin 2004, Dragomir Kariç themeloi partinë Forca e Lëvizjes Serbe dhe sot ai është një nga aleatët më të ngushtë të Aleksandër Vuçic. Por pasuria e tyre do të zgjerohej më tej falë lidhjes që krijuan me dikatorin bjellorus Lukashenko.
Në vitin 2006, Bogoljub Karic u akuza për evazion fiskal dhe mashtrim të rëndë financiar nga autoritetet serbe. Për t`i shpëtuar dënimit, ai u aratis në Bjellorusi, ku krijoi lidhje shumë të ngushta me presidentin Bjellorus Lukashenko. Që atëherë vëllezërit Kariç kanë bërë biznese miliardere në Bjellorusi, përmes kompanisë së tyre Dana Holdings. Njëra prej aferave më të mëdha ishte pikërisht ajo e marrjes së 400 hektarëve tokë falas në kryeqytetin Bjellorus, një pasuri me vlerë 1 miliardë euro, për të ndërtuar aty një qytet brenda qytetit.
Alabbar- Kariç, koktejli serbo-arab
Pasi lidhjet mes Dana Holdings, Emirates Blu Sky dhe vëllezërve Karic u ekspozuan të gjitha kompanitë u përfshinë në sanksione. Pas Dana Holdings, presidenti i SHBA-ve vendosi me urdhër të posaçëm ekzekutiv në sanksione edhe Emirates Blue Sky, madje edhe personalisht Bogoljub Karic për përfitim nga dhe mbështetje të regjimit të Lukashenkos.
I përballur me këtë situatë Alabbar u përpoq ta distanconte veten nga Emirates Blue Sky. Pas një takimi me Lukashenkon në Minsk, i pyetur nga gazetarët për lidhjen me vëllezërit Kariç, Alabbar deklaroi:
“Unë kam njohje shumë të mira me pronarët e Dana Holdings. Por dua të theksoj se i kam kontaktuar ata në mënyrë miqësore për këshilla dhe aktualisht ne jemi duke shqyrtuar që ta implementojmë vetë projektin.”
Një muaj më vonë, zhvilluesit e projektit në Minsk u ndryshuan. Kompania Emiratës Blue Sky u zëvendësua më Riverside Development Holdings Limited e regjistruar në Dubai, që u prezantua si kompani e Alabbarit. Por me sa duket kjo ishte e gjitha një manovër për të anashkaluar sanskionet ndaj vëllezervë Kariç.
Riverside Development Holdings Limited e regjistruar ne Bjellorusi zotërohet nga një kompani me të njëjtin emër e regjistruar ne Dubai. Drejtori ekzekutiv i saj është një personazh i quajtur Mostafa El Tobgy. Ky është krahu i djathtë dhe miku më i ngushtë i vëllezerve Kariç, i cili ka qenë drejtor në shumë biznese të tyre.
Muhamed Alabbar dhe Mustafa El Togby dyshohet se janë partnerë të paktën edhe në një kompani tjetër, çka sipas Projektit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dëshmon se vëllezërit Kariç nuk u larguan asnjëherë nga projekti i Minskut dhe partneriteti me Alabbarin.
Që Muhamed Alabbar është në lidhje biznesi me vëllezërit Kariç, kjo është e faktuar. Tani shtrohet vetëm një pyetje. A u shtrinë fijet serbe deri në Portin e Durrësit? Ajo që dihet deri më tani është se North East Real Estate Holdings Limited, kompania e cila do të shkatërrojë Portin mijëvjeçar të Durrësit është e regjistruar në Dubai, njësoj si Riverside në Bjellorusi. Dhe 60 për qind e aksioneve të saj nuk dihet kush i zotëron.
Marrë nga: MCNTV.al