Gjykata e Tiranës caktoi masën e arrestit për 49-vjeçarin Ilir Paja i arrestuar dy ditë më parë nga policia në zonën e Laprakës. Personazhi i cilësuar në Itali edhe si “Ufo” për shkak të aftësisë për tu arratisur ra, në pranga më 3 nëntor pas një vëzhgimi disa ditor.
Tashmë pritet që drejtësia të vendosë nëse do ta ekstradojë të kërkuarin në Itali apo do të transferojë në Tiranë dosjen e tij për ta gjykuar.
Mediat italiane i kanë kushtuar kapjes së tij disa publikime ku thuhet se agjentët e Interpolit dhe të njësisë Fast, kishin survejuar për disa kohë sjelljen e Ilir Pajës, dhe kishin mësuar se ai shkonte periodikisht tek një berber për shkak të fiksimit të tij për mjekrën.
Pikërisht sapo ka hyrë në ambientet e këtij shërbimi, mbrëmjen e 3 nëntorit, Ilir Pajës i janë vënë prangat nga agjentët e policisë të cilët e kanë bllokuar menjëherë duke mos i lënë asnjë mundësi veprimi.
Mediat italiane raportojnë se operacioni është realizuar me shumë kujdes, pasi policia priste që 49-vjeçari mund të kundërpërgjigjej në mënyrë të rrezikshme siç ka bërë gjatë përballjeve me forcat e rendit në Itali dhe Shqipëri disa herë.
Në mars të vitit 2008, Ilir Paja u përball me forcat operacionale në zonën e ish-Farmacisë nr 10 në Unazën e Tiranës, ku goditi me automjet agjentët e policisë, duke plagosur rëndë njërin prej tyre.
Për këtë ngjarje ai u dënua me 10 vjet burg dhe u lirua në vitin 2017 nga gjykata e Krujës me kushtin që të mos largohej nga banesa.
Ilir Paja e shkeli vendimin e gjykatës ndërsa në fuqi ndaj tij ishte urdhër kërkimi i interpolit Italian që e akuzonte për vrasje dhe dy arratisje spektakolare.
Në vitin 2007 ai rifitoi lirinë duke u larguar nga ambulanca e burgut, teksa po transportohej në spital pasi ishte hequr si i sëmurë në qeli.
Ilir Paja goditi policët që e shoqëronin, dhe më pas u largua me vrap duke u zhdukur në pyll.