Nga Kiço Blushi
Nuk e di sa e saktë është ajo që po thuhet këto ditë sikur Veliaj, edhe kur është me pushime jashtë shtetit, nëpër TëVë-të e Tiranës hapërdan kronika të gatshme, të xhiruara e të montuara nga studioja e tij televizive në Bashki…Në to shfaqet kryebashkiaku llërëpërveshur teksa inspekton punimet komunale, lyerjen me bojë të ndonjë çerdheje, shkolle apo rruge në periferi, për të na bindur se po rrobtohet, se po punon e punon dhe nuk kursehet e nuk do të çlodhet as në ditët e verës kur qytetarët e zakontë shullehen plazheve…
Nuk është mohuar sot e kësaj dite manipulimi mediatik kur u martua me kursimet e mamasë pensioniste,(në dy dhe jo vetëm në një kala të Shqipërisë, si princ i tranzicionit demokratik…), u shfaqën kronika prekëse sikur ai medemek kishte lënë dasmën dhe i qe kthyer punës…Kjo ishte parathënia e autopropagandës së rrejshme, narcize, shtinjake, e pa eksperimentuar kurrë ndër ne. Falë trysnisë së përditshme, intensive, tepër të organizuar, me lali Erin në epiqendër të mediave, këmbëngulet që shumëkush të besojë se kryebashkiaku riosh socialist është njeriu që nuk i ka qejf llafet e terpërta, se ai është i vetmi politikan që po bën “punë të vogla me dashuri të madhe” në të mirë të komunitetit…Si rralllëkush para tij!
Nuk mund të mohohet se kjo qasje autopropagandistike atij i ka dhënë, deri tani, sukses e akses, dobi e përfitim në karrierë. Në parti dhe më gjerë ai është bërë, për një kohë të shkurtër, jo një nëntëdhjetëenëntsh i mjaftueshëm, po numuri dy, kryeministri në hije. Jo vetëm pse administron dhe shpërndan favore e fonde bajagi të mëdha, lejë ndërtimi, liçenca dhe konçesione, më shumë e më kollaj edhe se kryeministri, por se ai ka ditur të krijojë hapësira dhe mundësi lidhjeje direkte e indirekte me bosët e mediave më shumë se cilido kryetar partie, ministër, kryeministër a President.
Bën vaki të mos shfaqet ndonjë natë nëpër ekrane Rama, Basha, Berisha e Meta, por ama nuk ka as edhe një edicion lajmesh të mungojë Veliaj. Ky është i bindur se Pushteti nuk mbahet e nuk ka jetëgjatësi pa autopropagandë, me prani të përditshme, qoftë edhe për cikërima, në publik.
Shumë shpejt, ashtu si Rama, edhe ai do të vjelë vlerësime, fotografime, çmime e ccertifikata ndërkombëtare “për sheshin më të bukur në botë“, duke injektuar imazhin e vet edhe në plan ndërkombëtar, pasi është provuar tashmë që, për një vend të vogël e popull të varfër pasqyrimi i vetes në një sfond ndërkombëtar( mjafton një foto me Obamën apo, ca më mirë, me Trampin…) të garanton suksesin, karrierën, votën dhe sigurinë nga konkurrenca si dhe e mpak ankthin nga dështimet ku e ku më shumë se veprat e dobishme që bëhen në hije, pa publicitet…
Faktikisht tani lali Eri mund të quhet zëvendësi real i Ramës, edhe pa bërë zgjedhje “të lira dhe demokratike” nën vëzhgimin e “gardianit të statutit të partisë”, Gramoz Ruçit. Kryebashkiaku i ka privatizuar të gjitha punimet rutinore të Bashkisë, edhe ato që nuk do t’ ja vlente t’i reklamonte punonjësi më i rrëndomtë i një njësie bashkiake. Ndonjë deputet pa identitet që mer me vete, e përdor sa për sfond, për të qetësuar partinë duke i thënë, me imazh, se autopropaganda e tij i vlen edhe partisë.
Shumë qytetarë, qofshin ose jo militantë, brenda dhe sidomos në periferi, brenda dhe jashtë të kryeqytetit, e kanë ngrënë tashmë karremin me krimb mediatik, pasi besojnë se, për Veliajn mund të bësh vërejtje, si për këdo, “por ama ai punon e po e ndryshon Tiranën, pasi lali Eri nuk fle gjumë si pararendësi i tij Basha …”
Veliaj është bërë më sipëror në autopropagandë edhe ndaj mentorit të tij Rama, mjeshtrit të autoprogandës, i cili di të tërheqë vemendjen e mediave botërore edhe me një palë atlete, me një parakalim spektakolar të tre klerikëve në Paris, me disa lapsa me ngjyra në xhep të xhaketës, etj…. Kurse Lali Eri jo vetëm që di të përfitojë më shumë kohë televizive, por se kronikat e tij në fakt janë të ngjizura me më shumë “bukë” se me fjalë, me batuta, me sharrje, me etiketime kazanësh dhe tepsish, si ato të Ramës, të çilat të nesërmen i merr era…Edhe pse Rama në mandatin e parë si kryebashkiak solli më shumë ndryshime efektuoze në Tiranë (“kthimi në identitet”….) nuk mundi të kishte kaq ndikim mbi mediat si ka, për dy vjet, kanakari i tij.
Veliaj nuk i sulmon kurrë mediat, pronarët dhe gazetarët, nuk i përbalt e nuk i përçmon, nuk i quan kazan e plehëra, si bën shefi i tij hokatar. Nëse për Ramën mund të ketë mbetur ndonjë kanal televiziv apo gazetë që i bën vërejtje, për Veliajn nuk gjen as edhe një për be, as edhe një të vetme, që të bëjë ndonjë kritikë miqësore, le më pastaj të guxojë të mos shfaqë kronikat e Bashkisë, të servirura me “tepsi”nga kazanxhinjtë e studios së Bashkisë!
Narçizizmi i Veliajt është më pragmatik, më i mençur dhe më me këmbë në tokë se narçizizmi genetik i Ramës. Etiketimi “lali Eri” atij i pëlqen dhe e pranon, se përndryshe do ta kishte fshirë nga mediat…Bashkimi i emërtimit vulgar “lali Eri” me portretet e pensionistëve apo fëmijëve, mundësisht romë, të cilët i merr në krahë për t’i çuar në spital, krijojnë në popull, me shumë pak kosto, imazhin e një shpëtimtari misionar që mendon natë e ditë për popullin…
Edhe pse ndonjëherë shfaqet si Batman, Veliaj ngulmon të duket sa më i thjeshtë, sa më popullor, modest jo vetëm në veshje. Qëllimisht e shmang fodullëkun, karshillëkun dhe sqimën e Ramës, duke krijuar, me apo padashje, kontrast me të…Veliaj aktualisht është pushtetari më me shumë pushtet real mbi mediat. Falë tyre ai synon të bëhet sa më “popullor”, duke harxhuar për këtë qëllim të gjithë potencialin intelektual dhe materjal të Bashkisë. I gjithë ekipi i tij me sa duket preokupimin më madhor ka si e si të gjejë e të inskenojë përurime, kontakte, takime e shfaqje të përditshme, të cilat do të shërbejnë për publicitet.
Po të kishim gazetari investigative, do të ishte e dobishme të zbulohej si e arrin ai këtë dhe sa shpenzon Bashkia për këtë “lidhje gordiane” Veliaj- media – publik. Hë për hë nuk dihet i ka blerë ai mediat, apo bosët e mediave e kanë blerë atë. Kjo do të kuptohet më vonë. Sidoqoftë, është pikërisht kjo aftësi e tij që po ia bën rrugën e karrierës asfalt, më të sigurtë e m ë të lehtë nga c’e ka Rama, si kryeministër. Kjo aftësi e tij nuk mund të mohohet. Sot për sot Veliaj nuk ndjehet i kërcënuar as nga brenda dhe as nga jashtë partisë.
Sepse thembra e tij e Akilit janë raportet e tij “miqësore” me mediat. Të të gjitha krahëve. Por sa mund të vazhdojë kjo klimë dashurie?
***
Në fakt kjo qasje e panginjur e Veliajt ndaj pushtetit të katërt ka dhe anën tjetër të medaljes. Ka rrezik që një ditë t’i kthehet në boomerang. Kjo është një dukuri e njohur në artin e komunikimit. Autopropagnda e stërforcuar, si qëllim në vetvete, për të kapur majat me ndihmën e rimelit mediatik, e shkatërron portretin dhe emrin e një lideri më përkeqaz se operacionet plastike të top modeleve, kur këmbëngulin të sfidojnë moshën, mospërfilljen e publikut me ndihmën e silikonit.
Shëmbull i afërt e tipik i kësaj dukurie është Berisha. Një nga arsyet themelore që humbi pushtetin dhe ja rrënoi reputacionin vetjak është fakti se Berisha, (ashtu si Rama pas tij), abuzoi me mediat, me trysninë e grykësinë për të “hyrë dhe për të mbetur në histori” nëpërmjet arkivit, duke synuar njëkohësisht shpëlarjen e truve të bashkëkohësve, po edhe të brezave të ardhshëm, nëpërmjet abuzimit dhe bombardimit me kronika televizive, të vëna nën hyqëm.
Berishës nuk i hyri në punë as tuneli i Elbasanit dhe as rruga e kombit, jo më pastaj pedonale apo sheshi “Skenderbej” i Veliajt si “më i bukuri në botë”…Atë e kishte “egzekutuar” alergjia popullore prej nepsit të shfrenuar për autopropagandë. Berisha kur ishte President e shkarkoi një ndihmësin e tij kur ky e këshilloi miqësisht “të mos e tepronte aq shumë me daljet në televizor”, se po i dëmtohej imazhi…Edhe Rama nuk e përfilli Rexhep Qosen kur, edhe ky, para ca ditësh, i dha të njëjtën këshillë miqësore…
Në krahasim me Veliajn, pararendësit e tij, të pangoour me pasqyrimin e vetes nëpër ekrane e gazeta, Berisha dhe Rama nuk kishin e nuk kanë mentor mbi kokë, ata janë vetë Zot e vetë shkop, gjë që psikologjikisht i bën të mbeten shurdh, të dehur me vetveten. Ata i patën vrarë “baballarët politikë” që historia të niste me ta…Berisha e pat rrasur Alinë në burg, kurse Rama që ditën e parë të kryetarllëkut në PS e nxori Nanon në pension të parakohshëm. Kësisoj Berisha e Rama nuk shihnin ëndërra të këqia e nuk e përjetonin frikën dhe rrezikun e konkurrencës, as të pucit, as të ngjalljes së xhelozisë, kurse Veliaj ka mbi kokë një Ramë me fuqi absolute, i cili cdo gjë mund të tolerojë, po armën e tij më të fortë : sipërinë mediatike si brenda dhe jashtë llojit ai nuk ja fal kurrkujt t’a përdorë më mirë se ai…
Aq më pak kundër tij.
Lali Eri e ndjen këtë rrezik, ndaj nuk le rast pa përmendur e lavdëruar Ramën, për t’a qetësuar, si bënin dikur antarët e Byrosë kur citonin me vend e pa vend shokun Enver, po kjo ama nuk e pengoi “udhëheqësin historik” të jetë vigjilent e në rast dyshimi të priste kokat e atyre që ëndëronin e synonin t’a konkurronin, synim që, për cilindo “legjendar” delirant ballkanik fsheh rrezikun e zëvendësimit të mundshëm të tij nga vartësit “besnikë deri në vdekje” .
Boomerangu i pashmangshëm i autoprogandës të sforcuar, dehja kësodore me pasqyrën televizive, plus xhelozia e tutorit dhe rivalëve brenda oborrit, janë rreziqe që nuk mund të shmangen me investime, tendera, lejë ndërtimi, licenca e blerje favoresh, ca më pak me kopillëqe e marifete mediatike…Përkundrazi, ato do t’a pontencializojnë këtë rrezik
Veliaj nuk e kupton dot këtë dhe nuk e di se ku e ka varrin lavdia e sajuar mediatikisht.
Lapsi.al