Me këngën e fushatës së vitit 2009 “Shqipëria po Ndryshon” në sfond dhe mes dhjetëra flamujve të PD e brohoritjeve nga banorët e zonës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është pritur për herë të parë në Lazarat, që pas rikthimit në krye të selisë blu.
Që në start të takimit, Berisha i është drejtuar rivalit të tij politik, Edi Rama me një mesazh mbi Lazaratin, duke i thënë se idenë e tij për ta shpërbërë si fshat nuk ka për ta arritur kurrë.
“Ndjehem krenarë me mbështetjen e secilit prej jush. Po vij këtu nga Libohova dhe një mik i imi atje më tha se Edi Rama i paska thënë një socialisti të thekur se Libohovën duhet ta vë në heshtje dhe Lazaratin ta shpërbëj fare. I them Ramës se Lazarati është këtu dhe s’ka të fortë në këtë botë që mund ta shpërbëjë. U përpoq diktatura mizore e etërve të tu, por ata përfunduan në kosh, ndërsa Lazarati mbeti, ndaj ideja e vazhdimit të tu mizor të persekutimit të Lazaratit do marrë përgjigjen e merituar në zgjedhjet e ardhshme”, tha Berisha.
Në vijim, ish-kryeministri u ndal te mënyra që PD e tij në pushtet do të përdorë për të rijetëzuar fshatin.
“Kam ardhur për t’u zotuar para jush se me deputetin tuaj do bëjmë çdo gjë për ju, për kapacitetin, fermat, që të kenë prosperitetin që meritojnë. Por kam ardhur këtu të dëgjoj zërin tuaj, sugjerimet tuaja, që do jenë pjesë e rëndësishme e programit të PD”, shtoi më tej Berisha.