Të nderuar miq, të nderuar anëtarë të Partisë Demokratike, që na ndiqni nga Tirana dhe nga e gjithë Shqipëria.Ju faleminderit me shumë mirënjohje për mbështetjen dhe inkurajimin. Gjithë sa po themi dhe po bëjmë ka vetëm një qëllim, mbajtjen bashkuar dhe ringritjen e shpejtë të Partisë Demokratike, për ta rikthyer atë në lavdinë dhe suksesin e kohërave të vjetra.
Kjo nuk është lëvizje politikanësh, por e shumicës së demokratëve të goditur fort nga humbja e rëndë e 25 qershorit dhe sidomos nga trajtimi i saj prej kryetarit të vetëngrirë të PD. Ne thjesht ndoqëm instiktin dhe ndjeshmërinë e lënduar të tyre për të ardhur deri këtu.
Kjo nuk është një çështje pushteti, sepse askush prej nesh nuk e lidh këtë kauzë të madhe me emrin e vet, dhe gjithkush prej nesh është i gatshëm të marrë çdo vendim në funksion të qëllimit tonë të vetëm. Duke filluar që nga unë i pari.
Por ndërkohë që të gjithë jemi të bindur se i vetmi shans që Partia Demokratike ta kapërcejë krizën është një proces reflektimi për humbjen katastrofike dhe përmes një konkurrimi të drejtë dhe të barabartë, ku demokratët të vendosin lirisht alternativën më të mirë.
Ne nuk e pranojmë dot ngutin e Lulzim Bashës për ta mbyllur me një farsë atë, që duhet të ishte gara më korrekte në historinë, jo vetëm të Partisë Demokratike, por të mbarë politikës shqiptare, që kur u vendos pluralizmi në vitin 1990. Sepse të tillë e kemi sikletin, për shkak të tij.
Ne gjithashtu e kemi të pamundur të pajtohemi me faktin që në partinë tonë nuk mbahet më as formalisht përgjegjësi për rezultatin zhgënjyes dhe dramatik të zgjedhjeve. Dhe pyetja është çfarë ka ndodhur me këtë parti, që 4 vjet më parë, kryetari (Sali Berisha) nuk ia lejoi vetes të qëndronte më në postin e vet, ndërkohë që sot pasardhësi i tij, pas një humbjeje shumë më të thellë, jo vetëm nuk jep dorëheqjen, por kërkon edhe një mandat tjetër?
Të dashur demokratë dhe demokrate,
Ka një diferencë të madhe midis nesh. Ne duam që të ndreqim PD-në e drobitur nga rezultati dhe drejtimi i keq, që kjo pastaj të bëjë ç’të dojë me kryetarin. Lulzim Basha kërkon që ne të mbarojmë punë një herë me kryetarin, që ky i fundit më pas të bëjë ç’të dojë me PD-në. Me pak fjalë, ne këtu jemi partia, që duam të zgjedhim kryetarin, ndërsa ai është kryetari, që do të zgjedhë partinë. Ajo e para që kërkojmë ne, quhet forcë politike, ndërsa kjo e dyta, është në të gjitha rastet ndërmarrje biznesi me një pronar të vetëm. Ne jemi kategorikisht kundër saj.
Por nuk është vetëm kjo që na dallon. Gjatë këtyre ditëve na kanë quajtur, jo pa qëllim, si kundërshtarë të Lulzim Bashës. Madje na kanë vërsulur në shpinë edhe sharëse me dhe pa pagesë. Nuk ka problem, unë për vete i kam falur, por kjo nuk është e vërtetë. Të gjithë ne këtu kemi vetëm një kundërshtar, ky është Edi Rama. I cili a del e na tepron. Lulzim Basha është njeri prej nesh, me të cilin jemi gati të punojmë, siç kemi bërë edhe në të shkuarën. Por e kemi pasur kryetar dhe jo mbret, që të vendosë i vetëm për gjithçka dhe të mos i japë kujt llogari.
Ne kërkojmë një PD të bashkuar, ku ka vend për Lulzim Bashën dhe këdo që mendon si ai, ndërsa atij i duhet një PD, jo vetëm pa ne, por mbi të gjitha pa 200 mijë demokratët, që munguan në apelin e 25 qershorit, madje edhe për të tjerë, që mund të përzihen apo largohen nga pështirosja. Ne nuk mund ta kemi kurrë këtë luks, ndaj edhe deviza jonë ka qenë dhe mbetet “Askënd për të humbur, gjithëkënd për të fituar”.
Po pse humbëm ne kaq thellë më 25 qershor? Është e vërtetë se rezultati dëshpërues, që ne morëm u ndikua fort nga marrëveshja e gabuar, nga lista e gabuar, por edhe nga fushata e gabuar e Lulzim Bashës. Është gjithashtu e vërtetë që ato nuk ishin zgjedhje të mira, sepse kundërshtari na i vodhi, mbase edhe na i bleu votat. Por të mos harrojmë që kjo u bë me marrëveshje, të pashkruar natyrisht, dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë. Sepse për herë të parë në historinë e saj 27 vjecare, Partia Demokratike, nuk pati asnjë dalje në selinë e saj për ditën e zgjedhjeve, ndërkohë që kemi pasur dhjetëra të tilla edhe kur ishin vetë në pushtet për të denoncuar kundërshtarin.
Por edhe pse Lulzim Basha bëri gjithcka mbrapsht, që nga dita e futjes në çadër, e deri sa u gdhi 25 qershori, prapaseprapë është e padrejtë të thuhet se humbja jonë katastrofike u ngjiz dhe erdhi në jetë vetëm në tre muajt e fundit. Ajo është gatuar ditë pas dite, për katër vjet me radhë. Sinjalin më të fortë e morëm dy vjet me parë, por ne e injoruam, sepse i thamë humbjes fitore në zgjedhjet lokale. Ndaj jo rastësisht mbërritëm këtu.
Që pas 22 korrikut të vitit 2013 ne nuk arritëm në asnjë ditë të ngjallnim frymëzim dhe të bënim diferencën me Partinë Socialiste dhe të tjerët. Kryetari ynë u kujdes gjithë kohës, përmes një lidershipi apatik, që në finale Partia Demokratike të perceptohej si e keqja më e vogël, por kur fushata po afrohej, as ky objektiv tmerrësisht i ulët nuk ishte arritur. Dhe le ta themi me zë të lartë, që kurrë dhe në asnjë rrethanë një opozitë nuk i fiton zgjedhjet si i keqja më e vogël, ndaj edhe ne ishim pothuajse të pashpresë më 18 shkurt, kur Lulzim Basha vendosi të hapë çadrën, jo për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, por për të shpëtuar lëkurën e tij.
Por kjo nuk është më e rënda. Më e keqja është se si po sillemi ne pas humbjes. Po e konsiderojmë gati sikur kjo që na ndodhi, por edhe kryetarin, i kemi “dhuratë” prej Zotit. Njësoj si fatkeqësitë natyrore, tërmeti, vullkani, përmbytja etj, të cilave duhet t’u bindesh, se nuk ke zgjidhje tjetër.
Kjo është e papranueshme, sepse ne mendojmë që njeriu gabon, dhe njeriu ndreq. Por jo i njëjti njeri, sepse nuk mund të jetë askush njëkohësisht, edhe xhelati, edhe viktima, edhe engjëlli, edhe djalli, edhe shiu, edhe dielli. Kjo është ligjësi jo vetëm e politikës, por sidomos e politikës, ku çdo gabim kushton e pakta një katërvjeçar. Të cilat në rastin tonë janë e energji, sakrifica dhe interesa të qindra mijëra anëtarëve të Partisë Demokratike, aksionerët legjitimë, por të nëpërkëmbur të forcës sonë politike.
Të nderuar miq,
Ne nuk mund t’u premtojmë kurrë njerëzve një Shqipëri më të mirë, me një PD përherë e më të dobët e më jodemokratike, edhe sikur njerëzit të çmendeshin e të na votonin një ditë, vetëm nga inati i qeverisë. Të gjithë ne këtu e dimë se kjo është një ëndërr, por edhe sikur ta mendonim për një cast se do të bëhej zhgjëndërr. Ne nuk mund të shpresojmë asnjëherë që kundërshtari ynë i fortë politik të na dhurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, për sa kohë që ne nuk i zhvillojmë ato të tilla në shtëpinë tonë.
Është e tmerrshme ta thuash, por po provohet që jemi shumë më të egër dhe më intolerantë me garën brenda nesh, sesa vetëm një muaj më parë, kur kishim përballë Partinë Socialiste dhe LSI-në. Çfarë kërkuam ne për të pasur një garë normale, që u refuzua me aq brutalitet? Pak më shumë kohë për analizë dhe fushatë, status të barabartë të kandidatëve dhe akses të njëjtë tek lista e anëtarësisë.
Do të mbetet njollë e zezë dhe gjëja më e pashpjegueshme për gjithëkënd në Shqipëri, se si edhe sot, që po flasim, ne e kemi sekrete listën, dmth atë e ka vetëm Lulzim Basha, a thua se jemi parti ilegale. Ndërkohë, që anëtarët e Partisë Demokratike kanë qenë, janë dhe do të mbeten gjithmonë krenarë për zgjedhjen dhe vendimin e tyre. Dhe se ata nuk kanë asgjë për të fshehur.
A ka ndonjë mendje normale që të besojë se një parti që hedh në plehra statutin e vet, nesër në pushtet apo opozitë do të ketë respekt për ligjin dhe kushtetutë? Unë mendoj se jo.
Atëherë cili është modeli që ne u ofrojmë shqiptarëve, mirë se për anëtarët e Partisë Demokratike, nuk pyeskemi fare, me keqkuptimin se nuk kanë nga shkojnë? Ja pra që paskan, nuk dilkan fare në zgjedhje, si ata 200 mijët, që ndenjën më mirë në shtëpi, se sa të votonin për Republikën e Re.
Kam frikë se nëse asgjë nuk do të ndryshojë deri nesër, ne do të rrëshqasim edhe më shumë në honet e një autokracie lilipute, që nuk do t’i vlejë më askujt. Lulzim Bashës, të parit. Nëse do ta trajtojmë 22 korrikun si një ditë të zakonshme, ku nuk dihet kush voton, për kë voton, dhe sa votojnë, sepse rëndësi ka sa shënohen, ne rrezikojmë të shndërrohemi në partinë më problematike në Shqipëri, dhe kjo është e dhimbshme për secilin prej nesh.
Ne po i largohemi përherë e më shumë vlerave perëndimore, të cilat frymëzuan krijimin e Partisë Demokratike dhe përcaktuan linjën dhe fatin e saj. Kjo që po ndodh tek ne sot nuk ka asnjë lidhje me Europën, por është politikë shumë e vjetër ballkanike, në versionin më të keq shqiptar.
Por sërish them se nuk duhet të jemi të pashpresë. Gjithkush prej nesh këtu dhe qindra mijëra të tjerë në çdo cep të Shqipërisë e kanë një rol për të luajtur dhe një mundësi për ta ndihmuar Partinë Demokratike. Në takimin me demokratët e Durrësit ne shpallëm një maket platforme, se si e mendojmë të ardhmen e forcës sonë politike, që ajo të rimëkëmbet shpejt dhe të bëhet gati të fitojë që në përplasjen e parë me Partinë Socialiste. Ai nuk është një projekt i mbyllur, në ecje e sipër ishte hartuar, ndaj jemi të hapur që të pasurohet me kontributin e gjithësecilit, madje edhe të vetë Lulzim Bashës.
Dorëheqja e kryetarit të rast humbjeje, konsiderimi i statutit si libër i shenjtë, kriteret e forta të përfaqësimit politik në cdo nivel, kalimi i vendimmarrjes, nga e personalizuar, në kolegjiale, shndërrimi i PD në një pol lirie për të djathtën shqiptare dhe në tempullin e opozitës, rikthim tek tradita, historia, simbolet dhe shenjat tona dalluese, ishin vetëm disa prej çështjeve të rëndësishme, që ne duhet të zgjidhim në të ardhmen. Dhe ju të gjithë e dini, që jo vetëm nuk u përfillëm, por ne nuk u lejuam as të ishim pjesë e konkurrimit, vetëm sepse Lulzim Bashës nuk i pret puna.
Ndaj për të gjitha këto arsye dhe shumë të tjera si këto, ka vetëm një mundësi që Partia Demokratike të dalë nga kjo spirale e rrezikshme, ku është futur për shkak të ambicies së pafre të Lulzim Bashës për t’u kacavjerrë pas karrikes së kryetarit: Të ndalet kjo farsë dhe të hapet gara.
Lulzim, ke ende disa orë kohë që t’ia kursesh demokratëve një traumë tjetër, ndoshta më të rëndë se 25 qershori. Ia ka borxh Partisë Demokratike. Të gjithë ne i detyrohemi asaj, por në ka një njeri që është deri në fyt me të, ai je ti. Nuk ka nevojë t’i rendis të gjitha tani.
Ti nuk ngjite, nuk shkrepe dhe as nuk çele asnjë ditë. Dhe, sipas meje, nuk ka asnjë shans që të rilindësh ndonjëherë për ta udhëhequr PD drejt fitores. Por nëse e mendon vërtetë ndryshe dhe nuk shtiresh, lëri demokratët ta vendosin këtë gjë përmes një gare të drejtë. Se mbase mund ta kemi ne gabim.
Përndryshe, do të hysh në histori si politikani më famëkeq i postkomunizmit në Shqipëri, i cili u kujdes fort që, për shkak të paaftësisë dhe dashakeqësisë së tij, të shkatërrojë në shumë pak kohë partinë, që përmbysi dikaturën dhe hodhi bazat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në këtë vend. Historia nuk do ta falë kurrë, ndaj për të fundit herë, mos hyr në atë derë o trim!
Ndërsa ti Eduard, bëji (S)selam Bashës, sepse jeni çift i palumtur dhe i martuar me shkuesi në këtë farsë të neveritshme të zgjedhjeve të brendshme në PD. Natyrisht, asgjë personale me ty. Çoje deri në fund këtë shërbim të shëmtuar dhe pastaj të këshilloj të kthehesh andej nga ke ardhur, sepse këtu nuk i duhesh më as dreqit. Demokratëve jo e jo.
Por ftesën kryesore dhe atë më të rëndësishëm e kam për qindra e mijëra demokratët në gjithë Shqipërinë, të cilëve humbja dërrmuese e Lulzim Bashës dhe fitorja e pamerituar e Edi Ramës u ka ulur padrejtësisht kokën. Injorojeni dhe refuzojeni farsën e 22 korrikut! Ne nuk mund të bëhemi pjesë e kësaj maskarade, që synon rrëmbimin në mes të ditës së mandatit të kryetarit të Partisë Demokratike. Këto nuk janë zgjedhjet tona. Kjo nuk e zgjidh problemin e forcës sonë politike, por thjesht hallin e Lulzim Bashës.
Jo farsa, por gara e drejtë do të ishte shërimi dhe shpëtimi i Partisë Demokratike. Nëse Lulzim Basha është i vendosur t’ia cojë thikën deri në fund kësaj partie, ai do të marrë edhe të gjithë faturën dhe të gjithë përgjegjësinë. Por i bindur të jetë ai dhe kushdo tjetër se, nëse 22 korriku nuk do të ndalet, asgjë nuk do të jetë më si më parë.
Kjo lëvizje nuk lindi nga asgjëja dhe nuk mund të shkojë drejt hiçit. Nëse do të perifrazoja Migjenin dhe jo Qemal Stafën, ne do të mbetemi si gozhdë e ngulur në tru të demokratëve, që e duan të madhe, të bashkuar dhe të fortë Partinë Demokratike. Por jo vetëm të atyre. Edhe tek çdo shqiptar që beson tek liria, demokracia, shenjtëria e votës dhe tek ata që kanë ende shpresë se ky vend mund të ndryshojë për mirë. Duke shëruar Partinë Demokratike, ne synojmë të krijojmë një model emancipues për gjithë politikën shqiptare, ndaj edhe ky është dhe duhet të jetë një projekt kombëtar.
Kam bindje e thellë se bashkë mund t’ia dalim.