Ka reaguar për herë të parë nëna e 19-vjeçarit Erjon Xhenje, i cili mbeti i vrarë nga një atentat mafioz të dielën e 18 shtatorit në Shkodër.
Në një deklaratë për mediat, Elvira Xhenje prek me fjalët teksa përshkruan djalin e saj, i cili u ekzekutua teksa pinte kafen në një lokal. Nëna e 19-vjeçarit theksoi se fatkeqësia e djalit tim ishte se kushërinjtë e tij janë me precedentë penale. Mes të tjerash, ajo i ka bërë apel shtetit që të ofrojë mbrojtje pasi familja e saj ndihet e kërcënuar.
“Jam Elvira Xhenje, nëna e të ndjerit Erjon Xhenje, të riut që u vra në Shkodër më datë 18.09.2022. Vrasja e djalit tonë ka qenë një tronditje e madhe për familjen tonë, por jo vetëm. Dhimbjen për djalin tim e kam parë në sytë e gjithë prindërve që në sytë e mi kanë parë veten e tyre, sesi një femijë të pafajshëm i merret jeta me pa të drejtë. Dhimbjen për Erjonin e kam parë në sytë e te rinjve që e kuptojnë sesa e pasigurt dhe e pa vlerë është jeta në Shqipëri. Fatkeqësia e djalit tim ishte së kusherinjtë e tij janë me precedent penale. Ky fakt i dha të drejten dorës kriminale që t’ia marrë pa mëshirë jetën djalit tim. Ky fakt i dha të drejtë portaleve që ta godasin për herë të dytë Erjonin duke cënuar dinjitetin e tij me informacione të pavërteta dhe duke trazuar shpirtrat e familjarëve sërish. Erjon Xhenje ka qenë student i degës fizioterapi. Ka qenë një i ri me angazhime në jetën personale dhe shoqërore. Erjoni është edukuar me vlera dhe i ka manifestuar në familje dhe ne rrethin e tij të pastër shoqëror. Kërkoj nga shteti drejtësi për djalin tim. Kërkoj gjithashtu që familja ime të merret në mbrojtje pasi ndihemi të pambrojtur. Erjoni ka qenë një djale besimtar. Jam e sigurte qe ai është lule në xhenet. Allahu e pastë në mbrojtje pasi në këtë jetë ka padrejtësi”, tha nëna e Erjon Xhenjes.
Identifikohet autori i ngjarjes
Gjatë ditës së sotme është identifikuar autori i vrasjes së 19-vjeçarit, Erjon Xhenje, një ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së dielës në Shkodër. Policia nuk ka prova deri më tani për autorin por nga burime në rrugë operative të grumbulluara policia dyshon se autor është Bajram Çekorja, i shpallur në kërkim. Ndërkohë policia ka shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë që mendohet se janë të implikuar në vrasjen e shtetasit Erjon Xhenje. Dy personat e tjerë, njëri mendohet se ka qënë në motorr me Bajram Çekoren dhe tjetri ka treguar levizjet e 19 vjeçarit Erjon Xhenjan mbrëmjen e ngjarjes.
Ngjarja
Nga administrimi i provave materiale dhe kamerave të sigurisë së bizneseve të zonës shihen dy persona në motoçikletë qe afrohen ndërsa njëri zbret nga motoçikleta dhe i afrohet viktimës në një distancë rreth 1 metër dhe e qëllon disa herë me pistoletë.
Në vendngjarje policia ka gjetur 7 gëzhoja pistolete ndërsa 5 prej plumbave kanë përshkuar trupin e 19-vjeçarit duke e lënë të vdekur në vend. Në momentin e atentatit viktima ishte i vetëm në tavolinë ku edhe po konsumonte një kafe. Xhenje, rezulton të jetë i afërm i Sehar Xhenjës, i cili është në kërkim për tentativë vrasjeje pasi qëlloi me armë drejt automjetit me të cilin po lëvizte Taulant Pepaj në shkurt të vitit 2021. Për këtë ngjarje janë shpallur në kërkim edhe Eljon (Esmeraldo) Hato, 31 vjeç dhe dhe Shkelzen Xhenje, 29-vjeç.