Për të na ndihmuar me disa këshilla të vlefshme se si të kursejmë para, në studion e “Rudina” në Tv Klan, ishte e ftuar ekspertja e ekonomisë Mira Pogaçi.
E Pyetur se çfarë është llogaria e kursimit në ndryshim nga llogaria bankare ku derdhen paratë që derdhen nga paga apo të ardhura të tjera, ekspertja u shpreh se: “Në përgjithësi standardi është që t’i lenë këto para të fjetura në llogarinë rrjedhëse, duke i konsideruar si kursime, por nuk janë të mirëfillta sepse nuk sigurojnë interes.
Në Shqipëri ka ndodhur një problem para viteve 90 ka qenë tradicionale që prindërit të kishin llogari kursimi, por me zhvlerësimin e lekut në kohën e demokracisë, llogaritë e kursimit dolën pa vlerë. Ajo që unë doja të thoja sot, është që ne duhet të largohemi në vitin 2022 edhe nga llogaria e kursimit, sepse normat e interesit të kursimit në Shqipëri janë shumë të vogla 2-3% në varësi të bankave, të cilat shoqërohen edhe me komisione. Këto fonde në një periudhë të mëvonshme nuk do arrijnë të luftojnë as efektet e inflacionit. Ne sot jemi me inflacion të deklaruar 8%. Në vitin 2022 ne duhet të shkojmë në llogari më të zgjuara.
Do të sugjeroja për publikun, duke thënë se ne si popull jemi dhe disi konservatorë, nuk i njohim elementët që njihen në botë, që njerëzit investojnë në bursa apo fonde të tjera aktive, por të paktën të shkojmë te llogaritë e investimit. Të cilat kanë të njëjtën kohëzgjatje si llogaritë e kursimit, por marrin interesa shumë të lartë. Ti në mënyrë të vazhdueshme depoziton një fond në varësi të buxhetit të familjes dhe ato marrin interesa mujore në mënyrë multiplikative. Është tërësisht e paarsyeshme që paratë të lihen të fjetura apo në një llogari kursimi të thjeshtë që ua garantoj se edhe bankat nuk i kanë qejf, se janë kosto të shtuara edhe për institucionin.”