Nikoll Sherniki, 28 vjeç, nën masën ‘arrest shtëpie’ me akuzën e përfshirjes në vrasjen e efektivit Xhulio Prela, është arrestuar nga policia e Lezhës. Në pranga ka rënë edhe Flutura Berisha 34 vjeçe. Sipas hetimeve, ata do të kryenin një ngjarje kriminale, ndërsa policia ka sekuestruar një armë zjarri dhe municione.
Arrestimi
Burime zyrtare bëjnë me dije se shërbimet e Policisë, pasi kanë lokalizuar automjetin tip “Toyota”, të parkuar në afërsi të një pallati në Kune, Shëngjin, kanë ndërhyrë për të neutralizuar shtetasit që ndodheshin në automjet, të cilët, sapo kanë parë shërbimet e Policisë duke u afruar, kanë dalë menjëherë nga automjeti dhe kanë tentuar të largohen me vrap.
Gjatë tentativës për t’u larguar Flutura Berisha (drejtuesja e automjetit), ka tentuar njëkohësisht që të fshehë edhe një armë zjarri, në afërsi të vendit ku automjeti ishte i parkuar. Arma e zjarrit kallashnikov, së bashku me krehër e me fishek në fole, është gjetur më pas nga shërbimet e Policisë.
Në automjet, së bashku me këta shtetas ka qenë edhe një i mitur 15 vjeç.
Në vijim të operacionit, është ushtruar kontroll në automjetin me të cilin lëviznin këta shtetas dhe është gjetur një krehër automatiku me fishekë në të, ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e dorës së 34-vjeçares, janë gjetur 2 radio marrëse – dhënëse, si ato të Policisë.
Në momentin e kapjes, Nikoll Sherniki ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, në lidhje me akuzat ndaj tij në ngjarjen e ndodhur në dhjetor 2021, ku mbeti i vrarë me armë zjarri ish-punonjësi i Policisë, Xhuljo Prela. Më herët, Sherniki ka mohuar të ketë lidhje me vrasjen e efektivit. Lidhur me këtë krim u shpall në kërkim edhe Briland Martinaj, i cili u ekzekutua disa javë më parë.
Në përfundim të veprimeve hetimore, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 automatik, 2 krehëra me fishekë në to, 2 radio marrëse – dhënëse si të Policisë, si dhe automjeti i blinduar me të cilin lëviznin këta shtetas.
Gjithashtu, si rezultat i operacionit policor të koduar “Dyshimi” u bë edhe arrestimi në flagrancë i këtyre shtetasve:
Nikoll Sherniki, 28 vjeç, banues në Kurbin, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”;
Flutura Berisha, 34 vjeçe, banuese në Kurbin, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Hetimet
“Bazuar në hetimet e deritanishme lindin dyshime se lëvizja e këtyre shtetasve me automjetin e blinduar, në role të ndryshme, ishte për të realizuar një ngjarje kriminale. Për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor, nuk bëhen të ditura të dhëna të tjera në lidhje me rastin”, njofton policia.
Vijon puna hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe për identifikimin dhe vendosjen para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave të implikuar, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, shtuan të njëjtat burime.