Pjesa më e madhe e tyre janë mbiemra pozitivë, të cilët krijojnë një mburojë kur lidhen me njëri-tjetrin, duke e bërë të pamendueshëm për ju faktin që janë pikërisht këta faktorë pozitivë të cilët ndikojnë negativisht tek ju.
Edhe pse është shumë e kuptueshme që ju doni të jepni maksimumin tuaj në punë, kjo nuk do të thotë që puna t’jua “marrë shpirtin” dhe të mos ekzistojë fare balanca ndërmjet jetës suaj personale dhe asaj profesionale, sepse peshorja do të anojë nga kjo e fundit.
Më poshtë do të lexoni 6 shenja të cilat tregojnë se ju po i përkushtoheni më shumë seç duhet punës suaj, prandaj nëse edhe juve ju tingëllojë të njohur faktorët e mëposhtëm, këshillohet që t’i ndryshoni sa më parë.
- Nuk e njihni më togfjalëshin “kohë e lirë”
Ju shpenzoni çdo sekondë gjatë ditës në zyrën tuaj, madje edhe vaktin e drekës e konsumoni përpara kompjuterit. Sa vjen ora për t’u larguar, ju kontrolloni sërish postën tuaj elektronike për të parë nëse keni ndonjë email të ri dhe nëse keni, atëherë puna juaj fillon sërish sikur të ishte ora 8:00 e mëngjesit, edhe pse në fakt është ora 5:00 e pasdites. Pushimet e lejes vjetore…as që ju shkojnë në mend. Ju nuk mund të shkëputeni nga puna sepse mendjen do ta kishit sërish aty.
Puna nuk përfundon asnjëherë plotësisht. Nesër mbylleni punën tuaj në orarin e caktuar dhe bëjuni një telefonatë miqve tuaj, të cilët nëse kalon edhe pak kohë, do t’jua harrojnë fare fytyrën.
- E gjithë ngarkesa ka rënë te ju
Kini kujdes. Punonjësit “përtacë” e kuptojnë me mijëra kilometra larg që ju nuk do t’i thoni kurrë jo dhe do të merrni përsipër të bëni edhe punë që s’ju përkasin. Por duhet të tregoheni shumë të kujdesshëm në këtë pikë, sepse mund ta shikoni veten me një mal me punë që pastaj s’do të dini nga t’ia mbani. Në këtë rast këshillohet që të vendosni “pikat mbi i” dhe gjithkush të bëjë punët e tij.
- Kryefjala e planeve tuaja është “karriera”
Teksa një prej miqve tuaj ju pyet “Ku e shihni veten pas 10 vitesh?”, në përgjigjen tuaj rrufe ka vetëm plane në lidhje me karrierën tuaj. Kjo gjë nuk është totalisht negative, por nëse e gjeni veten në një situatë ku filloni flisni dhe s’mbaroni së foluri vetëm për karrierën tuaj, atëherë duhet të reflektoni dhe të kuptoni se karriera juaj nuk është jeta juaj, ajo është vetëm një prej pjesëzave të puzzle-it, prandaj mos i jepni më shumë përparësi sesa duhet, në mënyrë të tillë që ajo të mos jetë figura përfundimtare e puzzle-it tuaj.
- Mendja ju rri vetëm tek puna
Sa shkëputeni nga puna, sa arrini në shtëpi, madje edhe përpara se të bini të flini mendja ju shkon vetëm te puna. Por edhe nëse mundoheni që ta hiqni mendjen ajo përsëri ju shkon atje. Ju rikujtoni çdo problem që mund t’ju ketë ndodhur gjatë ditës, çdo punë të lënë përgjysmë apo mbledhjen me investitorët e huaj që keni pas dy ditësh.
Gjithkujt prej nesh mund t’i ndodhë që të mendojë për ditën e punës, dhe kjo gjë është krejtësisht normale sidomos kur situata është stresuese në zyrë. Por duhet të tregoheni shumë të kujdesshëm që një situata të mos shkojë deri në atë pikë sa ju të fiksoheni duke i krijuar vetes stres të panevojshëm. Këshillohet që ju të praktikoni ushtrime të ndryshme meditimi dhe të merreni me sport.
- Kur s’mund të flisni për asgjë tjetër
Nuk ka rëndësi nëse jeni në darkë me miq apo jeni thjesht duke bashkëbiseduar me fqinjën tuaj, gjithçka që ju thoni, madje që në fjalën e parë, ka lidhje me punën tuaj.
Edhe pse ju përpiqeni që të mos flisni në lidhje me punën tuaj, është e pamundur që biseda të mos shkojë përsëri në të njëjtën pikë. Këshillohet që edhe nëse biseda në të cilën mund të jeni përfshirë ka lidhje me punën, ju jepni vetëm një përgjigje të shkurtër dhe të mundohuni ta ndërroni sa më parë temën e bisedës. Ka aq shumë gjëra për të cilat mund të bisedoni. Punën lëreni brenda 8-orarëshit zyrtar. Kjo do të jetë lehtësim edhe për miqtë apo familjarët tuaj, të cilët do të bien rehat dhe nuk do të dëgjojnë të rejat më të fundit nga puna juaj.
- Kur ndikon në sjelljen tuaj
Padyshim që karriera ka rol të rëndësishëm në jetën e gjithkujt prej nesh, por nuk duhet të harroni edhe faktin tjetër që ajo nuk është gjithçka. Përveç karrierës, ju keni edhe pasione, dëshira dhe interesa të tjerë të cilat i vrisni me dashje nëse fokusoheni 100 për qind në punën tuaj. Nëse keni filluar ta ndjeni që puna po “jua merr shpirtin” duhet të veproni menjëherë, pasi kjo gjë mund të ndikojë edhe në sjelljen tuaj. Duhet të bëni shumë kujdes, që të mos e kaloni kufirin dhe të prishin balancën ndërmjet jetës personale dhe asaj profesionale.
Mbase është ky momenti i duhur për të hedhur një hap ndryshe dhe mbase ju më shumë se kushdo tjetër keni nevojë për disa ditë pushimesh. Por bëni kujdes, mos i prisni biletë edhe “punës”. Bëjeni vetëm për vete.