Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledisa Nano përmes një shkrese të nisur Agjencisë Kombëtare të Bregdetit ka kërkuar bashkëpunimin e të gjitha institucioneve ligjzbatuese për të pasur një sezon të sigurt turistik dhe jo vetëm.
Pas tragjedisë së Himarës, ku 7-vjeçarja Jonada u vra nga skafi i drejtuar nga polici Arjan Tase teksa ndodhej në breg të detit, Nano ka vendosur monitorojë të gjitha hallkat e zbatimit të ligjit.
“Siguria në det, plazhe dhe ujërat e brendshëm në thellësi të territorit shqiptar, është prioritet i veprimtarisë së vendit tonë. Për të garantuar dhe siguruar jetën e qytetarëve dhe të pushuesve, përgjatë sezonit turistik dhe jo vetëm, kërkojmë bashkëpunimin dhe angazhimin e të gjitha hallkave institucionale për të monitoruar, kontrolluar zbatimin e ligjit dhe të akteve nënligjore në fushën e turizmit.”
Në shkresën dërguar Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Nano kërkon që Policia e shteti të informohet për çdo parregullsi, teksa thekson se kjo gjë nuk është zbatuar nga institucionet.
“Policia e Shtetit si aktor i rëndësishëm në ruajtjen e rendit dhe sigurisë do të vijojë të ndërmarrë dhe penalizojë shërbime policore 24 në 24 orë, në të gjitha territoret e plazheve dhe zonave turistike. Për të arritur rezultate Policia e Shtetit duhet të informohet periodikisht mbi masat e marra nga institucionet përgjegjëse (detyrim i cili nuk rezulton të jetë zbatuar nga institucionet drejtpërdrejt përgjegjëse, për asnjë rast), të cilat lejojnë licensimin për zhvillimin e aktiviteteve dhe turizmit detar, pajisjen me leje drejtimi të pajisjeve motorike lundruese, përcaktimin e zonave të ndaluara për lundrim dhe ankorim të mjeteve lundruese, si dhe çdo aktivitet tjetër që lidhet me hapësirën detare. Duhet të informohen të gjitha organet ligjzbatuese për çdo shkelje apo moszbatim të ligjit nga çdo subjekt publik apo privat.”
Policia e Shtetit nuk mund të veprojë e vetme dhe as nuk mund të jetë e vetmja përgjegjëse, nëse hallkat ndërinstitucionale nuk bashkëpunojnë dhe nuk zbatojnë ligjin.