Një vajzë, 7 vjeçe u godit për vdekje në bregdetin e Potamit në Himarë nga një skaf, i cili drejtohej nga Arjan Tase, efektiv policie, i cili vite më parë ka drejtuar edhe Komisariatin e Himarës, ndërsa u përball me drejtësinë se kishte lejuar kultivimin e kanabisit në dy fshatra.
Tase u shpall i pafajshëm nga Gjykata dhe u rikthye në rradhët e Policisë së Shtetit, ndërsa nga raportimet mësohet se ai shërbente në strukturat e Elbasanit.
Më konkretisht Arjan Tase, me gradën Komisar, mban detyrën e Shefit të Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan.
Mësohet se familja e fëmijës që humbi jetën në mënyrë tragjike kishte ardhur nga Anglia për pushime në Shqipëri. Fëmija ka lindur dhe është rritur në Britani, ndërsa familja është me origjinë nga Tropoja.
Aktualisht, shtetasi Arjan Tase ndodhet i shoqëruar në Komisariatin e Policisë Himarë.
Ndërkohë, Agjensia e Mbikqyrjes Policore, në një njoftim zyrtare bën të ditur se “pas marrjes dijeni të ngjarjes së rëndë të ndodhur në plazhin e Potamit, ku shtetasi A. T., me gradën Komisar dhe me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, ka goditur për vdekje një fëmijë 7 vjeç, ndërsa drejtonte një mjet lundrues, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor për hetimin dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje”.
Drejtuesi i skafit Arjan Tase ka thënë se ka pasur një problem teknik në skaf. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ngjarja e rëndë është pasuar me komente të ndryshme në rrjetet sociale. Deputeti socialist Petro Koçi shkruan “ngjarja e Himarës na ka vrarë të gjithëve. Jo më skafe në plazhe, le të skafisen ku të duan”.
Ndërkohë, deputeti demokrat Edi Paloka, referuar të shkuarës së komisarit Arjan Tase, në një postim në rrjet shkruan “sot jemi po aq të rrezikuar sa nga kriminelet në rrugë dhe nga ata që Rama pikërisht për këtë arsye, i ka bërë shefa policie!”
“Ky kriminel u largua nga Himara si shef komisariati pasi u diskretitua dhe u denoncua si bashkëpunëtor në kultivim hashashi. Po si gjithnjë, këta largohen nga një pozicion sa për të shuajtur zhurmën e skandalit dhe katapultohen në poste të tjera”, shkruan Paloka.
Ngjarja e rëndë në Himarë ndodhi dy ditë pas publikimit të një urdhëri të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, i cili kërkonte marrjen e masave shtesë përgjatë muajit gusht, për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Nano nëpërmjet një letërporosie ka kërkuar nga drejtorët vendorë dhe të kufirit marrjen e menjëhershme të masave shtesë për sigurinë e pushuesve.
Nano ka urdhëruar që të caktohen punonjës policie, kryesisht të Policisë Kriminale ose të Rendit, për të patrulluar në vijën bregdetare, aty ku ka grumbullime masive të pushuesve dhe të filmojnë çdo rast të tentativës për manovra të rrezikshme nga “Jet ski”-të apo skafet, qoftë brenda perimetrit të sigurisë, ashtu edhe në afërsi të perimetrit të sigurisë.
“Qoftë punonjësit civilë, ashtu edhe punonjësit me biçikleta apo me patrullat e rendit, për çdo rast të konstatuar, filmimet t’ua dërgojnë menjëherë Policisë Kufitare, e cila të reagojë në kohë reale duke bllokuar mjetin dhe duke e ndëshkuar me masë administrative”, thuhej në urdhërin e Nanos.
Gjithashtu në urdhërin e tij thuhet që Policia Kufitare të rrisë patrullimet dhe të koordinojnë veprimet me Policinë vendore, për të parandaluar dhe për të reaguar në kohë ndaj këtyre shkeljeve që krijojnë imazh negativ për vendin, cenojnë efektivitetin e punës së Policisë dhe krijojnë frikë dhe panik tek pushuesit.