Protesta për largimin e kryeministrit Edi Rama ka hyrë sot në ditën e 23-të në Tiranë, me qytetarët që vijojnë të qëndrojnë të mobilizuar në shesh.
Para nisjes së marshimit drejt Kryeministrisë, një prej protestuesve i është drejtuar të pranishmëve duke bërë thirrje për zgjerim të lëvizjes dhe bashkërendim me protestat e paralajmëruara nga sindikatat.
Ai u shpreh se pakënaqësia e shfaqur në protestë nuk lidhet vetëm me pjesëmarrësit në shesh, por reflekton edhe gjendjen e rënduar ekonomike të shumë familjeve dhe punëtorëve në vend.
Në fjalën e tij, ai kërkoi që lëvizja të përfshijë edhe kategori të tjera si minatorët dhe naftëtarët, të cilët sipas tij përballen me kushte të vështira dhe kanë nevojë të ngrenë më fort zërin e tyre.
“Sindikatat do të dalin në mbështetje të qytetarëve dhe punëtorëve që po e kanë të vështirë jetesën. I ftojmë të gjithë të bashkohen. Minatorët dhe naftëtarët duhet të reagojnë, sepse janë ndër më të goditurit nga këto politika”, deklaroi ai.
Protestuesi shtoi më tej se kjo lëvizje qytetare do të vijojë pa u ndalur, pavarësisht çdo përpjekjeje për ta zbehur, deri në momentin kur kërkesat e tyre të marrin përgjigje konkrete.














