Deputeti demokrat, Klevis Balliu, ka ngritur akuza ditën e sotme se strukturat e shtetit janë të lidhura me krimin.
Në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen ku po diskutohej buxheti i vitit 2026 për drejtuesit e burgjeve, AMP dhe policisë së shtetit, Balliu përmendi rastin e atentatit të Rinasit, teksa u shpreh se në çdo vrasje ka një polic të përfshirë.
Ai përmendi mungesën e sigurisë në vend, lidhjet e oficerëve dhe agjentëve të shtetit me grupe kriminale që operojnë në terren, teksa tha se siguria e vendit po cënohet dita ditës.
“Rastet e fundit janë alarmante, kemi vazhdimisht përfshirje të efektivëve në grupe e ngjarje kriminale. Sa mbaron rasti me Oltion Bistrin, del një tjetër dhe së fundmi kishim atë të Rinasit. Mjafton dosja “Metamorfoza” për të parë se gjithë hierarkia e Policisë është e inkriminuar. Nëse cenohet siguria e vendit dhe Policia e Shtetit, kjo na përket të gjithëve. Si të mos flasim për aeroportin kur mbikëqyrja e Policisë ishte zero për një orë e gjysmë, e të vijmë këtu e të flasim sikur nuk ka ndodhur asgjë. Si ka mundësi që në çdo atentat mafioz në Shqipëri, ka në nivele të larta njerëz, një xhajë, një dajë, një nip a mik, në një strukturë të shtetit, siç ishte rasti konkret”, tha Balliu.














