Nënkryetari i Këshillit bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti ka dhënë detaje në lidhje me protestën që pritet të mbahet ditën e nesërme para Kryeministrisë.
Ai thotë se kjo protestë ka ardhur për faktin se hapësira parlamentare është ngushtuar shumë.
Teliti shton se para Kryeministrisë përfaqësuesit e opozitës do mbajnë fjalimet dhe qëndrimet e tyre mbi aktualitetin politik, ekonomik dhe social i cili sipas tij vazhdon të rëndohet dita ditës.
Sipas tij kjo është e para protestë në rradhën e saj e cila do jetë pastaj periodike.
“Përsa i përket protestës së ditës së hënë e cila është e para në llojin e saj por nuk do jetë e vetmja, ka ardhur pikërisht për faktin se hapësira parlamentare është ngushtuar shumë. Në seancat e fundit, vetëm një seancë është bërë normale.
Të gjitha seancat e tjera, fillojnë seancat e mbyllen seancat pa diskutuar fare se çfarë ka rendi i ditës por gjenden instrumente nga përfaqësuesit e mazhorancës për ta mbyllur atë sa më shpejt duke mos bërë transparencë mbi vendimarrjet që merr Kuvendi.
Për këtë arsye opozita ka gjykuar që meqenëse është ngushtuar tashmë hapësira parlamentare në mënyrë të padrejtë, të dilet e të flitet me qytetarët në formatet e protestave, mitingjeve për të bërë të ditur atë që nuk kemi mundësi ti themi në Kuvend do i themi atje para qytetarëve.
Është vendosur që dita e hënë të jetë e parë në llojin e saj. Para Kryeministrisë ku përfaqësuesit e opozitës do mbajnë fjalimet, do mbajnë qëndrimet e tyre gjithmonë mbi aktualitetin politik dhe aktualitetin ekonomik dhe social i cili vazhdon të rëndohet dita ditës. Është e para në rradhën e saj e cila do jetë periodikisht ashtu siç është deklaruar edhe nga lideri i opozitës”,- është shprehur Teliti për OraNews.












