Inflacioni, që mat ndryshimin vjetor të çmimeve të një shporte të caktuar mallrash është ulur lehtë në tetor, në 2.3%, nga 2.4% që ishte në shtator, sipas raportimeve të INSTAT.
Megjithatë, jetesa është bërë më e shtrenjtë për të gjithë ata që kanë një shtëpi me qira, pagesat mujore të të cilës sa vijnë e rriten.
INSTAT raportoi se rritja vjetore e çmimeve në muajin Tetor është ndikuar kryesisht nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,87 pikë përqindje. Krahasuar me muajin Tetor 2024, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 4,3 %.
Sipas një artikulli të mëparshëm të Monitor, Kërkesa e shtuar për strehim nga familjet që kanë shtyrë blerjen e një apartamenti, për shkak të çmimeve të larta, së bashku me zgjerimin e strukturave të qirasë ditore, që ka reduktuar ndjeshëm stokun e pronave të disponueshme, kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të qirasë afatgjatë edhe në vitin 2025, kryesisht në kryeqytet, por edhe në zonat e tjera bregdetare.
Rritja më e lartë deri në 30% arrin në zonat afër qendrës, që parapëlqehen për qiratë ditore. Sot, të gjesh një apartament me qira nën 400 euro brenda vijës së verdhë të ndërtimit në Tiranë është tepër e vështirë.
Së fundmi, edhe në raportin e publikuar nga “Deloitte”, ku analizohet tregu i pasurive të paluajtshme për 28 shtete europiane, dhe në të cilin Shqipëria u përfshi për herë të parë, thuhet se të ardhurat totale nga qiratë në vitin 2024 arritën afërsisht 350 milionë euro, me rritje prej rreth 10% krahasuar me vitin e mëparshëm.
“Rritja e kërkesës nga turizmi afatshkurtër çoi në shtrenjtimin e qirave me 20% në fund të vitit 2024, me apartamente njëdhomëshe (1+1) në Tiranë që jepen me 500 – 800 euro në muaj (rreth 8–12 euro për metër katror)”, theksohet në raport.
Si gjithmonë edhe ushqimet e pijet joalkoolike, që zënë rreth 40% të shpenzimeve të një familjeje kanë vijuar rritjen. INSTAT njofton se ndikimi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” në inflacion ishte +0,55 pikë përqindje.
Gjithashtu, çmimet e grupit “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ndikuan me +0,21 pikë përqindje, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,15 pikë përqindje, çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me +0,13 pikë përqindje, çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,10 pikë përqindje, çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë”, “Argëtim dhe kulturë” dhe “Shërbimi arsimor” me +0,07 pikë përqindje secili, çmimet e grupeve “Transporti” dhe “Komunikimi” me +0,03 pikë përqindje secili dhe çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,02 pikë përqindje.
Rritet dhe argëtimi
Sipas INSTAT, krahasuar me muajin Tetor 2024, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 4,3 %, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 3,2 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,1 %, “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 2,9 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,4 %, “Shërbimi arsimor” me 2,0 %, “Veshje dhe
këpucë” me 1,8 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,7%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,6 %, “Komunikimi” me 1,1 %, “Shëndeti” dhe “Transporti” me 0,5 % secili.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “Vajra dhe yndyrna” patën një rritje me 4,9 %, pasuar nga nëngrupet “Qumësht, djathë dhe vezë” me 4,2 %, “Mish” me 2,9 %, “Peshk” me 2,5 %, “Bukë dhe drithëra” me 0,3%./ Monitor
















