Një urdhër i qeverisë amerikane për të bërë shkurtime drastike në trafikun ajror komercial ka hyrë në fuqi, duke shkaktuar reduktime të ndjeshme në oraret e aeroporteve kryesore në të gjithë vendin dhe duke detyruar udhëtarët të riorganizojnë planet e tyre.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka deklaruar se ky veprim është i domosdoshëm për të ruajtur sigurinë e kontrollit të trafikut ajror gjatë mbylljes së qeverisë federale, e cila është tashmë më e gjata e regjistruar ndonjëherë dhe pa ndonjë shenjë zgjidhjeje, ndërkohë që kontrollorët e trafikut ajror nuk janë paguar.
Ndërsa linjat ajrore kanë filluar të reduktojnë fluturimet brenda vendit, qendrat ndërkombëtare si JFK në New York dhe LAX në Los Angeles do të preken gjithashtu, duke shkaktuar vonesa dhe ndryshime të papritura që mund të kenë një efekt zinxhir në trafikun ajror ndërkombëtar.
“Po shohim shenja stresi në sistem, ndaj po ulim në mënyrë proaktive numrin e fluturimeve për të siguruar që populli amerikan të vazhdojë të udhëtojë në mënyrë të sigurt”, tha Bryan Bedford, administratori i FAA-së.
Siç shkruan The Guardian, që nga fillimi i mbylljes së qeverisë, e cila nisi muajin e kaluar pas një përplasjeje mes republikanëve dhe demokratëve për planet e shpenzimeve, kontrollorët e trafikut ajror kanë punuar pa pagesë, gjë që tashmë ka shkaktuar vonesa.
Sekretari amerikan i transportit, Sean Duffy, ka shpallur 40 aeroporte “me trafik të lartë” në të gjithë vendin që do të duhet të reduktojnë fluturimet. Një ulje prej 4% në operacionet në këto aeroporte ka hyrë në fuqi, por kjo do të rritet në 10% gjatë javës së ardhshme.
Duffy ka akuzuar demokratët se janë përgjegjës për çdo “kaos masiv” që mund të ndodhë, edhe pse mbyllja është rezultat i refuzimit të të dyja palëve, republikanëve dhe demokratëve, për të arritur një marrëveshje.
Shkurtimet mund të prekin deri në 1 mijë e 800 fluturime, sipas një vlerësimi nga firma analitike e aviacionit Cirium.
Me antagonizëm të thellë mes dy partive politike, qeveria e Donald Trump ka thyer rekordin e mëparshëm për mbylljen më të gjatë të qeverisë, i vendosur gjatë mandatit të tij të parë në vitet 2018-2019.
Linjat ajrore United, Southwest dhe Delta filluan të anulojnë fluturime të enjten në mbrëmje.
Aeroportet e prekura përfshijnë më shumë se dy duzina shtete, duke përfshirë më të ngarkuarat në SHBA, si Atlanta, Charlotte, Denver, Dallas/Fort Worth, Orlando, Los Angeles, Miami dhe San Francisco. Oraret e fluturimeve do të reduktohen në disa nga qytetet më të mëdha amerikane, përfshirë New York-un, Houston-in dhe Chicago-n.
Scott Kirby, CEO i United Airlines, tha në një deklaratë se kompania “do të vazhdojë të bëjë përditësime të vazhdueshme në orarin tonë ndërsa mbyllja e qeverisë vazhdon, në mënyrë që t’u japim klientëve tanë disa ditë njoftim paraprak dhe të minimizojmë ndërprerjet”.
Delta Air Lines tha se do të zbatojë direktivën dhe “pret të operojë shumicën dërrmuese të fluturimeve siç janë planifikuar”.
Ndërprerja e hapësirës ajrore vjen dy javë para festës së Falenderimeve, zakonisht periudha më e ngarkuar e udhëtimeve në vit dhe rrit presionin mbi ligjvënësit për të arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund mbylljes.
Në një deklaratë, American Airlines tha se shumica e klientëve nuk do të preken dhe udhëtimet ndërkombëtare me distancë të gjatë do të vazhdojnë siç janë planifikuar, e se klientët mund të ndryshojnë fluturimin ose të kërkojnë rimbursim. “Ndërkohë, vazhdojmë të nxisim udhëheqësit në Washington që të arrijnë një zgjidhje të menjëhershme për t’i dhënë fund mbylljes”, tha kompania.
Mbyllja e qeverisë ka shkaktuar mungesë deri në 3 mijë kontrollorë trafiku ajror, sipas administratës, përveç të paktën 11 mijë të tjerëve që nuk marrin pagesë pavarësisht se janë kategorizuar si punonjës kyç.
“Nuk jam në dijeni, në historinë time 35-vjeçare në tregun e aviacionit, për ndonjë situatë ku kemi marrë masa të tilla”, tha Bedford. “Jemi në territor të panjohur sa i përket mbylljeve të qeverisë”,














