Gjenerali gjerman Alexander Sollfrank ka ngritur alarmin për një rrezik të mundshëm ushtarak nga Rusia, duke deklaruar se Moska ka kapacitetin për të ndërmarrë në çdo kohë një ofensivë të shpejtë ndaj territorit të NATO-s.
Në një intervistë për agjencinë Reuters, Sollfrank theksoi se një sulm i gjerë kundër aleancës mbetet një mundësi reale deri në vitin 2029, nëse Rusia vijon me të njëjtin ritëm të prodhimit dhe furnizimit me armatime.
Sipas tij, pavarësisht humbjeve në frontet tokësore, Moska ruan një forcë të konsiderueshme ajrore dhe një arsenal bërthamor ende të paprekur. Ai shtoi se Rusia ka mjaftueshëm tanke për të nisur një ofensivë të menjëhershme, edhe pse nuk ka sinjale se një veprim i tillë është në plan aktualisht.
“Në bazë të aftësive që ka aktualisht, Rusia mund të nisë që nesër një sulm të kufizuar kundër një vendi të NATO-s,” tha Sollfrank.
Gjenerali gjerman përmendi tre faktorë që përcaktojnë mundësinë e një sulmi rus: fuqinë ushtarake, përvojën luftarake dhe udhëheqjen politike në Moskë.
“Këta faktorë tregojnë se një sulm rus nuk mund të përjashtohet. Nëse ai do të ndodhë apo jo, kjo varet nga mënyra se si do të reagojmë ne,” shtoi ai.














