Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se Aleanca ka hyrë në një fazë të re të fuqizimit ushtarak, duke e tejkaluar Rusinë në prodhimin e municioneve për herë të parë pas shumë vitesh.
Gjatë fjalës së tij në Forumin e Industrisë së Mbrojtjes në Bukuresht, Rutte theksoi se vendet aleate kanë hapur dhjetëra linja të reja prodhimi dhe kanë zgjeruar fabrikat ekzistuese, duke arritur nivele prodhimi që nuk janë parë “në dekadat e fundit”.
“Deri vonë, Rusia prodhonte më shumë municione sesa të gjithë aleatët e NATO-s së bashku. Por jo më. Po e ndryshojmë rrjedhën e ngjarjeve – tashmë prodhojmë më shumë se kurrë më parë”, – u shpreh Rutte.
Ai shtoi se ky përparim nuk duhet të ndalet vetëm te municionet, por të zgjerohet edhe në fushat e mbrojtjes ajrore dhe në zhvillimin e interceptorëve të dronëve me kosto të ulët.
“Sasia është çelësi. Kohërat e vështira kërkojnë veprime të guximshme dhe një nivel tolerance ndaj rrezikut – qoftë nga politika, qoftë nga industria,” – tha ai.
Thirrje industrisë së mbrojtjes për më shumë investime
Rutte u bëri thirrje përfaqësuesve të industrisë së mbrojtjes që të marrin më shumë rreziqe dhe të rrisin prodhimin, duke siguruar se vullneti politik dhe fondet për mbështetje janë të garantuara.
“E kuptoj që aksionarët kërkojnë siguri dhe kontrata afatgjata – dhe ndonjëherë qeveritë duhet t’i ofrojnë ato. Por mund t’ju them me bindje: paratë janë aty, kërkesa është aty dhe siguria jonë varet prej jush,” – theksoi ai.
Ai premtoi se NATO do të përshpejtojë proceset e prokurimit dhe do të mbështesë inovacionin ushtarak, por kërkoi që kompanitë të jenë të gatshme të veprojnë menjëherë.
“Rritni furnizimin. Zgjeroni linjat ekzistuese të prodhimit dhe hapni të reja. Mos lejoni që frika e mbikapacitetit t’ju pengojë të përmbushni nevojat që kemi sot,” – nënvizoi Rutte.
Në përfundim, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u shpreh i bindur se çdo investim në prodhimin e mbrojtjes do të ketë treg:
“Jam plotësisht i bindur se ajo që prodhoni, do të blihet.”













