Dodi Troqi është një grua invalide dhe me probleme të shëndetit mendor, e cila prej disa muajsh nuk ka marrë pensionin e invaliditetit. Vëllai i saj nga nëna, Hasan Kekaj, i cili kujdeset për të shprehet, se pensioni është bllokuar, pasi prokura e përgatitur për tërheqjen e shumës, rezultoi e gabuar. Në komunikim me gazetaren, Dodi Troqi dha përgjigje, që nuk përputheshin me realitetin.
Në postën nr. 22, ku kalon pensioni i saj, punonjësit sqaruan, se pagesa është bllokuar nga Sigurimet Shoqërore për shkak të mungesës së një dokumenti të vlefshëm, që autorizon tërheqjen. Sipas tyre, në aktin e kujdestarisë të paraqitur nga Hasan Kekaj, nuk është përcaktuar qartë e drejta për tërheqje pensioni.
Qytetarja – Tani! Pse nuk po e merr dot?
Specialistja – Sepse tek ajo, që më ka dorëzuar mua gjyshi, nuk e ka të shkruajtur atje. Ai vërtet mund të ketë marrë kujdestari, sepse ai ka bërë shumë dokumenta dhe është mirë, që t’i shofim njëherë bashkë dhe ta shohim. Ta shofim, që a e ke të shkruar, sepse atje te kujdestaria, që ka marrë zotëria, 1 herë, 2 herë, 5 herë nuk ka shkruajtur për shembull, që duhet të tërheq pensionin. Dhe këtë mua ma ka vënë sigurimet shoqërore dhe më tha “stop deri këtu”, sepse duhet të shkruhet për tërheqje pensioni.
Në KEMP-in rajonal, mjeku i komisionit Fatos Avdia shpjegon se kujdestari social caktohet në momentin e vlerësimit mjekësor, por kujdestarin ligjor e përcakton vetëm gjykata. Sipas tij, personat me probleme të shëndetit mendor janë zakonisht të paaftë për të vepruar juridikisht.
Procesi gjyqësor për caktimin e Hasanit si kujdestar ligjor është rrëzuar, pasi ai është 78 vjeç dhe nuk plotëson kriterin e moshës. Si pasojë, që nga korriku 2025, pensioni i Dodit ka mbetur i pamarrë.
Eksperti noterial Fatmir Laçej thekson se noteri mund të shkojë në banesën e invalidit për të nënshkruar prokurën, por vetëm nëse personi ka aftësinë të kuptojë veprimin ligjor që kryen. Në rastet e kundërta, nënshkrimi nuk mund të konsiderohet i vlefshëm, ndërsa procedurat për kujdestari ligjore zgjasin shumë.
/Emisioni STOP