Janë publikuar dokumentet të cilat vërtetojnë dënimin e gjyqtares Irena Gjoka në Greqi, për falsifikim dokumentesh.
Sipas një vërtetimi të lëshuar nga Policia greke, gjyqtares Gjoka i është vendosur ekspuls nga autoritetet greke, gjë të cilën ajo nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit.

Dyshimet për një dënim të gjyqtares Gjoka në Greqi qarkulluan edhe një vit më parë përmes mediave greke, po vetë gjyqtarja i ka mohuar katekorikisht akuzat. Sakaq pas publikimit të vërtetimit të mësipërm pritet se çfarë masash do të merren ndaj gjyqtares, pasi vetë kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela deklaroi pak ditë më parë se deklarimi i të dhënave të rreme në formularin e dekriminalizimit përbën vepër penale dhe dënohet.
“Gjykata e Posaçme rezulton e dënuar në Greqi. Po, përbën vepër penale deklarimi i të dhënave të rreme në formularin e dekriminalizimit. Ne rezultatin e verifikimit ia dërgojmë atij që e ka kërkuar. Procesi i verifikimit nuk ka afat, zgjatet sa herë që është e nevojshme. Ligji na ngarkon të bëjmë verifikim të plotë. Në rastin në fjalë çështja lidhet me kthimin e përgjigjeve ndaj letërporosive, që nuk janë në dorën tonë”, tha Çelaj gjatë raportimit në Parlament.
Dënimi i Irena Gjokës
Gjyqtarja Irena Gjoka akuzohet se është dënuar në Greqi për falsifikim dokumentash. Sipas vërtetimit të policisë greke, gjyqtarja është shpallur fajtore sepse në datën 24 dhjetor 2002 është kapur në pikën e kufirit Kakavijë gjatë kontrollit të pasaportës me dokumente udhëtimi të falsifikuara. Sipas këtij vendimi rezulton se Gjoka është shpallur fajtore për dokumente të falsifikuara dhe është dënuar me 3 muaj burg dhe gjobë 1500 euro gjë të cilën nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit.














