Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është marrë zyrtarisht e pandehur nga SPAK dhe po hetohet në gjendje të lirë për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
Gazetarja Klodiana Lala, në News 24 theksoi se Balluku është zyrtarja më e lartë që është paraqitur ndonjëherë në SPAK për t’u përballur me një akuzë të tillë.
Ajo shtoi se hetimet nuk kufizohen vetëm në këtë dosje, por përfshijnë edhe çështje të tjera që janë aktualisht në shqyrtim nga prokurorët e posaçëm.
Sipas Lalës, SPAK duhet të jetë transparent dhe të mbajë standarde të njëjta për të gjitha rastet, duke përmendur se edhe në raste të tjera të ngjashme, si me Monika Kryemadhin apo Ajola Xoxën, janë aplikuar masa të lehta sigurie si “detyrim paraqitje”.
Në të njëjtën linjë, Balluku është lënë në gjendje të lirë, ndonëse ndaj saj rëndojnë akuza serioze për ndërhyrje në procedurat e tenderimit, konkretisht për tunelin e Llogarasë.
Në lidhje me mundësinë e prishjes së provave, Lala nuk dha një përgjigje të prerë, por theksoi se kjo është një çështje që duhet të vlerësohet nga prokurorët.
“Duhet ta vlerësojnë prokurorët, nuk mund të paragjykojë sepse ata ende nuk i kane mbyllur të gjitha veprimet dhe patjetër ata duhet të mbajnë standard për të gjitha rastet.
Në këtë aspekt, SPAK duhet të jetë transparent më këtë pjesë. Përgjithësisht gratë të cilat janë hetuar nga SPAK gjithmonë kanë shkuar në masa të lehta sigurie, përmendim këtu Monika Kryemadhin, e cila është në masën “detyrim paraqitje”. Ajola Xoxa, bashkëshortja e Erion Veliajt “detyrim paraqitje”.
“Balluku po hetohet në gjendje të lirë dhe është e pandehur në gjendje të lirë për çështje që ne po flasim, sepse ajo ka të tjera dosje dhe çështje që janë duke u hetuar nga prokurorët e SPAK.” – tha ajo.














