Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të mërkurën se Hamasi do të çarmatoset dhe Gaza do të çmilitarizohet, dhe se nëse forcat ndërkombëtare nuk e realizojnë këtë, Izraeli do të ndërhyjë për ta bërë vetë.
Fjalimi u zhvillua gjatë një ceremonie diplomimi për studentët e Shkollës së Oficerëve, ku Netanyahu theksoi se Izraeli do të veprojë “sa herë që është e nevojshme” për të hequr kërcënimet e drejtpërdrejta ndaj vendit.
Shefi i Shtabit të IDF-së, gjenerallejtnant Eyal Zamir, paralajmëroi gjithashtu se ushtria është e gatshme të kthehet në luftë në çdo front dhe se do të përdorë “forcë shumë më të madhe” sesa në dy vitet e fundit të konfliktit, nëse situata e kërkon.
Komentet vijnë në një moment kur bisedimet për një plan ndërkombëtar paqeje dhe një force të mundshme ndërkombëtare për të stabilizuar Gazën mbeten të ndjeshme. Qeveria izraelite ka thënë se do të vendosë vetë se cilat trupa të huaja janë të pranueshme brenda një mekanizmi të tillë.
Netanyahu tha se preferon që çmilitarizimi të kryhet nga forcat ndërkombëtare, por se Izraeli nuk do të qëndrojë duarkryq nëse ato nuk veprojnë. Deklaratat e tij pritet të rrisin tensionet politike dhe ushtarake në rajon, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vazhdon negociatat për mënyrën e zbatimit të një armëpushimi dhe të kthimit të të kapurve.














