Uragani i fuqishëm “Melissa” ka shkaktuar shkatërrime të mëdha në Xhamajkë dhe në pjesën jugore të Haitit. Të paktën 30 persona kanë humbur jetën, përfshirë 10 fëmijë, ndërsa dhjetra të tjerë rezultojnë të zhdukur pas përmbytjeve dhe daljes nga shtrati të lumit La Digue në Haitin jugor.
Drejtori i mbrojtjes civile të Haitit, Emmanuel Pierre, njoftoi se kërkimet për personat e zhdukur po vazhdojnë, ndërsa komuniteti bregdetar i Petit Goave ka pësuar dëme të mëdha. Shumë shtëpi janë rrëmbyer nga uji, duke lënë banorët pa strehë.
Sipas zyrtarëve meteorologjikë, cikloni “Melissa” është më i fuqishmi që ka goditur rajonin në 90 vitet e fundit. Në Xhamajkë dhe Kubë, dëmet janë të konsiderueshme, duke prekur rrugët, energjinë, infrastrukturën dhe pronat private.
Dennis Zulu, koordinatori i OKB-së për disa vende të Karaibeve, përfshirë Xhamajkën, tha se vendi po përballet me shkatërrime të pashembullta dhe se banorët janë duke u strehuar në qendra emergjente.














